Një klan kosovar para gjykatës zvicerane
Albeu.com
Një ndër proceset më të mëdha gjyqësore të kontrabandës me drogë dhe krimit të organizuar në Zvicër, do të fillojë sot ndaj një klani kosovar që ka operuar në këtë shtet.Të akuzuar janë tre persona të një familje kosovare, të cilët kanë kontrabanduar rreth 1.500 kilogramë heroinë. Si i akuzuar kryesor është një kosovar 42-vjeçar, i cili së bashku me të vëllain supozohet se është koka e bandës.

Prokuroria shtetërore zvicerane e akuzon atë për pjesëmarrje në një organizatë kriminele, kontrabandë të rëndë me drogë dhe larje parash.

Klani në fjalë, nga viti 1997 e deri në vitin 2003, ka kontrabanduar rreth 1.475 kilogramë heroinë të sjellë nga Turqia, për vende të ndryshme evropiane.

Sipas akuzës, nga organet policore deri më tani janë konfiskuar 970 kilogramë. Drogat narkotike janë transportuar me ndihmën e automjeteve të përgatitura në mënyrë speciale nga shitës rajonal të drogës, kryesisht me prejardhje shqiptare. Prej tyre, 12 të tillë janë identifikuar dhe të gjithë janë dënuar.

Sipas akuzës, klani ka paraqitur një rrezik të jashtëzakonshëm. Nga gjysma e vitit 1990, ai ka qenë furnizuesi kryesor i tregjeve evropiane me heroinë. Ekzistojnë indikacione për një strukturë mafioze të përgatitur mirë.

Ka të ngjarë gjithashtu se katër vrasje të pasqaruara në Kosovë, shkojnë në konton e këtij klani. Paratë ilegale të fituara janë investuar në Kosovë, në ndërtesa dhe vetura luksoze. (ina/albeu)
Shtuar më 18/08/2008, ora 20:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori