840 fshatra rrezikojnë të zhduken nga harta

Conrado Gimenez ishte një bankier i suksesshëm përpara se të “shkollohej” siç thotë ai. 60-vjeçari sapo kishte dalë nga një mbledhje e bordit të Banco Santander , kur me makinën e tij u aksidentua rëndë.

“Në të kaluarën nuk kam besuar në Zot dhe as nuk kam qenë njeri i mirë. Kur rifitova vetëdijen, u betova të ndryshoja jetën time,” thotë ai.

Kjo ndodhi 20 vjet më parë. Më pas ai themeloi Fondacionin Madrina për të ndihmuar nënat e pamartuara, por kryesisht për të rigjallëruar fshatrat .

Sipas shifrave zyrtare, 840 prej tyre janë gati të zhduken nga harta. Asnjë vend në Evropë nuk po plaket aq shpejt sa Spanja.

Shkalla e lindjeve është një nga më të ulëtat në botë dhe në të njëjtën kohë njerëzit jetojnë më gjatë se në shumë vende të tjera.

Sipas agjencisë spanjolle statistikore INE, popullsia spanjolle është rritur nga 34 në 47 milionë që nga viti 1975, por vetëm falë imigrimit nga Amerika Latine, Evropa Lindore dhe Afrika e Veriut.

Një studim i bankës spanjolle La Caixa tregon se rreth 10% e popullsisë në komunat me më pak se 10 mijë banorë në Spanjë është me origjinë të huaj. Emigrantët nga Mali, Maroku apo Senegali punojnë kryesisht në bujqësi.

Megjithatë, në shumë fshatra situata është dramatike. Për shembull, provinca e Zamorës me fshatrat e saj të vegjël ka humbur 31% të popullsisë së saj në dekadat e fundit. Qytetet e mëdha, si Barcelona dhe Madridi, nga ana tjetër, janë rritur shumë dhe qiratë atje janë bërë të padurueshme./albeu.com/