Nga ide, në propozim. Mosndryshimi i orës në tryezën e BE
Pëlqej
Dy javë më parë kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker njoftonte se BE planifikonte të hiqte dorë nga ndryshimi i orës në periudhën e verës dhe të dimrit. E kjo ide u materializua në një propozim në KE për një ndryshimin ligjor që do t’i jepte fund të ndryshimit të orës.

Komisionerja e Transportit Violeta Bulc tha në një konferencë për shtyp se organi ekzekutiv i BE-së do ta linte në dorën e qeverive në mbarë bllokun për të rënë dakord nëse do të përdorin përgjithmonë kohën e verës apo atë të dimrit.

Ajo shtoi se propozimi parashikon që tetori i vitit 2019 të jetë hera e fundit që evropianët do të duhet të rregullojnë orët e tyre:

“Nëse Këshilli dhe Parlamenti Evropian do të vendosin të mbështesin propozimin e Komisionit, tetori i vitit të ardhshëm do të jetë hera e fundit që ndryshojmë orën. Ose do të qëndrojmë me kohën e verës ose, ato vende që vendosin të përdorin kohën e dimrit, do ta ndryshojnë atë në dimër në tetor”.

Që nga viti 1996, sipas ligjit të BE-së ka lëvizur koha përpara me një orë të dielën e fundit të marsit dhe mbrapa me një orë të dielën e fundit të tetorit.

Por Finlanda, bëri thirrje këtë vit që BE të ndalë këtë praktikë, të cilën kritikët thonë se mund të shkaktojë probleme afatgjata shëndetësore, veçanërisht në mesin e fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve. Studimet kanë treguar se ndryshimi i orës prish oraret e gjumit dhe mund të ndikojë në produktivitetin në punë. Më shumë se 80 për qind e shtetasve të BE-së duan të shfuqizohet ndryshimi i orës.

Çdo ndryshim do të kërkojë miratim nga qeveritë kombëtare dhe nga Parlamenti Evropian për t’u bërë ligj – një proces që mund të zgjasë deri në dy vjet.

Shtuar më 14/09/2018, ora 20:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori