Nga fikja e mikrofonave te akuzat për racizëm, Trump dhe Biden "ndezin" Shtetet e Bashkuara me debatin e fundit
Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, u përplasën në një debat të fortë të enjten, 12 ditë para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Dueli i së enjtes mbrëma në Nashville, të shtetit Tenesi, ishte një përballje më pak e ashpër dhe për tema më thelbësore, sesa përballja e mëparshme e kandidatëve më 29 shtator, e cila degjeneroi në fyerje.

“Pas asaj përleshjeje politike, organizatorët e debatit kësaj here fikën mikrofonat gjatë prezantimit të temave të diskutimit, për të minimizuar përplasjet”, shkruan BBC.

Por debati 90 minutësh, i moderuar nga Kristen Welker i NBC, pa shumë sulme personale midis kundërshtarëve, papëlqimi i ndërsjellë i të cilëve ishte i dukshëm.

Akuza për lidhje të dyshimta me aktorë të huaj

Pas debatit mbi pandeminë, dy kandidatët u përplasën lidhur me akuza të ndërsjella për lidhje të dyshimta me interesa të huaja. Një pyetje lidhur me ndërhyrje nga jashtë në procesin zgjedhor amerikan shumë shpejt nxiti akuza personale, pasi Presidenti Trump akuzoi djalin e zotit Biden, Hunter Biden për kontrata biznesi të parregullta me Kinën dhe Ukrainën. Një hetim i zhvilluar nga Komisioni i Senatit për Zbulimin, nën udhëheqje republikane, nuk zbuloi prova që i mbështesin këto akuza.

Zoti Biden tha se asnjëherë nuk ka marrë “një qindarkë të vetme” nga një vend tjetër, para se të kthehej nga presidenti duke e akuzuar se po përpiqej t’ua shpërqëndronte vëmendjen amerikanëve.

“Ai i nxjerr këto broçkulla me një qëllim të caktuar. Nuk e bën për të sulmuar familjen time. E bën për të dëmtuar familjet tuaja,” tha zoti Biden duke shtuar se presidenti do të largojë vëmendjen nga përgjegjësia për pandeminë.

Siguria e Zgjedhjeve; Taksat dhe Dokumentat Fiskale të Presidentit

Zoti Biden foli për refuzimin nga presidenti për të nxjerrë dokumentacionin fiskal të bizneseve të tij. “Nxirr dokumente për taksat që ke paguar, ose mos fol më për korrupsion,” tha kandidati demokrat.

Presidenti u përgjigj duke akuzuar agjencinë amerikane të mbledhjes së taksave, IRS se “më trajton shumë keq, në mënyrë shumë të padrejtë”.

Kandidatët shkëmbyen akuza edhe për kujdesin shëndetësor, politikat ndaj Kinës dhe, pas protestave që vazhdojnë prej muajsh, për marrëdhëniet racore në vend. Zoti Biden tha se zoti Trump ishte “një ndër presidentët më racistë” në historinë e vendit, shkruan VOA.

“Ai i hedh benzinë çdo zjarri racist,” tha zoti Biden.

Presidenti Trump u përgjigj duke kritikuar ligjin e sponsorizuar nga zoti Biden kur ishte senator në 1994 që solli si rezultat shtimin e ritmit të burgosjes së amerikanëve të pakicave racore. Zoti Trump shtoi se si president, ai kishte bërë më shumë për afrikano-amerikanët se çdo president tjetër “ndoshta” me përjashtim të Abraham Linkolnit në vitet 1860 (i cili çliroi skllevërit).

“Unë arrita të miratoj ligjin për reforma në drejtësinë penale, të krijoj zona të mundësive ekonomike, u kujdesa për universitetet me shumicë afrikano-amerikane,” tha presidenti.

Shtuar më 23/10/2020, ora 09:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori