New York Times: U arrestua komandanti i larte taliban
Albeu.com
Sipas së përditshmes New York Times, komandanti i lartë ushtarak taliban, Mullah Baradar, është zënë në Karaçi të Pakistanit, në një ndërhyrje të fshehtë të forcave të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit.
Duke cituar zyrtarë qeveritarë amerikanë, New York Times, raporton se komandanti taliban, Mullah Baradar, gjendet në arrest në Pakistan dhe ai po merret në pyetje nga inteligjenca amerikane dhe pakistaneze.
Gazeta e përshkruan Mullah Baradarin si numrin dy të talibanëve, pas Mullah Muhamed Omarit, ndihmësit të Osama bin Ladenit.
Një zëdhënës i talibanëve e ka hedhur poshtë raportin, duke thënë se Mullah Baradar është ende në Afganistan, duke organizuar në mënyrë aktive aktivitetet ushtarake dhe politike të grupit.
Shtëpia e Bardhë dhe CIA kanë refuzuar të japin komente lidhur me raportin, ndërsa Pentagoni nuk ka pasur koment të menjëhershëm.
Lajmi për këtë arrestim arriti në periudhën e ofensivës së shkallës së gjërë të NATO-s kundër bazës së talibanëve në provincën Helmand në Afganistan, e cila hyri në ditën e katërt.
Shtuar më 16/02/2010, ora 15:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori