Nervozohet Daçiç: Prishtina më ka fyer
Kryeministri serb, Ivica Dacic, tha sot se vendimi i Prishtinës për të ndaluar hyrjen e tij në Kosovë, paraqet shkeljen direkte të Marrëveshjes së Brukselit. Ai është shprehur se ka marrë informacione se Prishtina do të ketë një vendim të tillë dhe se për këtë e ka informuar kreun e delegacionit të BE-së dhe përfaqësuesit e vendeve të Kuintit (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia ).

"Disa përfaqësues të BE-së më dërguan mesazh se unë nuk mund ta shantazhoj Bashkimin Evropian. Njerëz, kthjellohuni. Na ndaluan të hyjmë në Kosovë. Së pari vendosni për këtë, pastaj merruni me shantazhet e mia. Nuk ka shantazhe. Bëni dialog me ata që mund të shkojnë në Kosovë”,-ka thënë Daçiç gjatë një konference me zëvendëskryeministrin turk, Bekir Bozdag, siç raporton "Indeks Online".

Daçiç thotë se nëse ndalimi që i është bërë është normal për Bashkimin Evropian, nuk ka interes të marrë pjesë. "Komisioni Evropian ende nuk është deklaruar për këtë. Mjaft me raporte të tilla. Ne që jemi në qeveri, për shkak të interesit shtetëror kemi rrezikuar jetën dhe karrierën e tani dikush na nënçmon me vendime të tilla. Nëse dikush nuk e kupton, kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Brukselit",-është shprehur ai, duke shtuar se nuk do të lejojë askënd që ta përulë. Kryeministri serb u shpreh se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë ishte të shkonte në Shtërpcë, të bindte serbët të dalin në zgjedhje. /albeu.com/
Shtuar më 04/10/2013, ora 16:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori