"Nena, mos i lini femijet te pijne!"
Albeu.com
Rrëfimi tragjik i Madlejn, pas humbjes së të birit 22-vjeçar. Gary Reinbach, 22-vjeçar, pinte 3 shishe vodka në ditë, që kur ishte 13 vjeç, dhe është vetëm një rast në miliona të tjerë.Në televizionet britanike rasti tragjik i Gary Reinbach, 22-vjeçar, është përfolur, sepse historia e tij tragjike e një fundi nga alkooli është historia e shumë të rinjve në Perëndim. E ëma e tij rrëfen dhimbjen dhe kurajën me të cilën u bën thirrje të gjitha nënave të tjera që të hapin sytë e t‘i shkëpusin djemtë e tyre nga alkooli vrasës.

Madlejn Hanshau ndodhet në kuzhinën e saj. Në sfond dëgjohet zhurma monotone e makinës larëse. Lavamani është i mbushur me enë të palara. Në dukje duket një ditë e zakonshme, por Madlejn e di se jeta e saj ka ndryshuar përgjithnjë. "Vogëlushi im ka vdekur, kjo do të thotë që zemra ime do të më dhembë gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës". Ajo është 44 vjeçe. Një javë më parë ende shpresonte se Gary, i biri, do t‘ia dilte mbanë. "Kisha një besim të verbër te mjekët. Mendoja gjithmonë se më në fund do të gjenin diçka për ta risjellë në jetë. Mendoja se im bir do t‘ia dilte mbanë". Gary Reinbach kishte cerozë në mëlçi, pasi edhe pse shumë i ri në moshë, ishte një i alkoolizuar. Atij iu refuzua transplantimi i mëlçisë, pasi, sipas grupit të këshillimit të transplanteve të mëlçisë, personat që janë sëmurë për shkak të alkoolit nuk konsiderohen si kandidatë të privilegjuar për zëvendësimin e mëlçisë. Si pasojë, Gary nuk ia doli mbanë. Nëna e tij, në dëshpërim e sipër, ndërsa i biri po jepte shpirt, doli me një thirrje publike në TV për djalin e saj, por pa asnjë rezultat. "Orët e fundit të jetës së tim biri kanë qenë më të tmerrshmet e jetës sime. Ai luftonte për të jetuar, çdo sekondë. Nuk donte të vdiste kaq i ri. Jam e bindur që ishte penduar për alkoolin dhe se nëse do t‘i kishin dhënë një shans të dytë do të ishte shëruar", rrëfen e ëma. Ajo tregon se i biri ishte plot dëshirë për t‘iu rikthyer shkollës, sportit që e kishte lënë për shkak të alkoolit dhe ndërtimit të një jete krejt ndryshe nga vitet e fundit që kishte jetuar nën avujt e alkoolit. Kur dëgjon nënën e Gary-t, e ndjen që edhe pse djaloshi kaloi plot 10 javë në spital, para se të vdiste, as ai dhe as nëna e tij nuk besonin në një fund të tillë. Ajo ende ka momente kur nuk pajtohet me faktin se i biri i saj nuk ekziston më. Historia e Gary-t është historia e dhimbshme e një djaloshi që nisi të pinte rëndë që në moshë të mitur. Ishte 13 vjeç kur nisi të pinte sasi të mëdha alkooli dhe çka është më e keqja, e ëma nuk e kuptonte një gjë të tillë. "Ah sikur ta kisha kuptuar se im bir i ishte dhënë pijes. Ndoshta gjërat do të kishin shkuar ndryshe", thotë nëna plot dëshpërim. Vetëm kur i biri mbushi 16, ajo e kuptoi se çfarë nuk po shkonte në jetën e tij dhe se rob i kujt ishte shndërruar tashmë prej 3 vjetësh fëmija i saj. "Im bir ishte si të gjithë moshatarët e tij, një i ri që nuk mund ta dëgjonte më mamanë. Unë mendoja se ishte vetëm një fazë kalimtare për të dhe se herët a vonë do ta linte pijen dhe do të vazhdonte me jetën". Por as ajo, as Gary nuk ishin përgatitur për fatalitetin, sëmundjen e mëlçisë. "Ndërsa vazhdonte të pinte pa reshtur në të gjitha orët e ditës dhe të natës, befas nisi të bjerë nga pesha e të ndihej keq çdo mëngjes kur hapte sytë. Unë i thashë që të konsultohej me ndonjë mjek. Ai e bëri dhe disa ditë më pas u shtrua në spital. E mora vesh menjëherë se ai ishte rëndë dhe se nuk bëhej fjalë për një sëmundje kalimtare, por për një diagnozë që mund t‘i merrte jetën. Kur im bir e kuptoi gjendjen, më lutej që ta shpëtoja, por ishte shumë vonë". Në certifikatën e vdekjes së të birit shkruhet se ai vdiq nga mosfunksionimi i organeve të trupit, i shkaktuar nga "hepatiti i alkoolit". Sipas djalit të dytë të Madlejn, 18-vjeçarit Luke, nuk është e drejtë që një lëndë që nuk është e paligjshme të vrasë njerëz, si për shembull alkooli. "Unë kam pasur shokë që pinin shumë, por që e kanë lënë të gjithë të frikësuar për jetën e tyre", thotë 18-vjeçari, ende shumë i tronditur nga fati i të vëllait. Ajo çka Luke dhe shokët e tij kanë zbuluar nga mjeku që kuroi Gary-n ishte se: ata që konsumojnë alkool me shumicë do të vuajnë patjetër nga problemet e rënda e shpesh fatale me mëlçinë, pavarësisht moshës. Të rinjtë, në këtë rast janë shumë më të prekur se të moshuarit që mund të kenë tërë jetën që pinë. Ajo çka është me të vërtetë tragjike, është se Gary nuk është as i pari dhe as i fundit që vdes në një moshë shumë të re nga alkooli. Në Perëndim statistikat janë rrëqethëse. Gabimi është te prindërit që e tolerojnë një gjë të tillë te fëmijët, duke kujtuar që bëhet fjalë për diçka kalimtare, ndërkohë që mjafton edhe një periudhë shumë e shkurtër pijeje që ata të dëmtohen në mënyrë të parikthyeshme. Është me të vërtetë tronditëse që në Perëndim numri i të miturve nga 11 deri 15 vjeç që pinë shumë alkool është rritur me 200% krahasuar me fillimvitet ‘90. Psikologët dhe mjekët vënë re se pija sot niset në një moshë shumë më të re se dhjetëvjeçarët e kaluar dhe kur ata e nisin, rrallë mund të ndodhë që të kthehen pas. Të rinjtë pinë e pinë derisa vdesin nga mëlçia, ose pësojnë aksidente automobilistike, apo degradojnë plotësisht. Fillimisht gjithçka nis si një qejf fundjave e më pas përfundon si një ves i keq që të merr jetën. Kur flet me nënën dhe vëllain e të ndjerit e kupton dhimbjen e tyre, një dhimbje në fund të së cilës pyet veten: Po përse? Çfarë e bën një fëmijë në moshë të njomë që të pijë sasi të mëdha alkooli? Sigurisht që nuk ka një arsye të vetme për një gjë të tillë, por ajo çka është e dukshme, është lirshmëria me të cilën një fëmijë sot mund të gjejë dhe të konsumojë alkool. Krahasuar me vitet ‘80, sot alkooli është më i gjetshëm për moshat e mitura në masën 118%. Kjo për sa u përket pijeve të forta, sepse vera jepet lehtësisht në çdo dyqan, apo supermarket. Gary konsumonte tri shishe vodkë në ditë dhe pyetja është se si ka mundësi që një fëmijë 13 vjeç të gjente dhe të konsumonte kaq shumë alkool? Sipas shpjegimit të shumë psikologëve, janë më të rriturit që u ofrojnë fëmijëve pijet alkoolike. Paratë gjenden dhe mënyrat janë nga më të paligjshmet, që nga prostitucioni e deri te veshjet. Por lehtësia me të cilën mund të gjesh sot alkool është njëra anë e problemit. Të pish në sasi të mëdha në një moshë shumë të vogël tregon në radhë të parë se sa i rëndë është problemi i personit që konsumon alkoolin me jetën dhe familjen e tij. Sipas mamasë, i biri dukej i mërzitur gjatë gjithë kohës. "Atë asgjë nuk e kënaqte, as e emociononte. Mendoj që ai pinte për t‘i shpëtuar mërzisë. Sigurisht që një rol të madh ka luajtur edhe divorci im, por ky nuk është një shpjegim, pasi edhe fëmijë të tjerë i kanë prindërit e ndarë dhe tashmë një gjë e tillë nuk është e rrallë". Sipas saj, goditjen i biri e ka marrë pas divorcit, por jo për shkak të tij, por për faktin se me divorcin nëna dhe fëmijët u shpërngulën në një lagje të re larg vendit ku Gary stërvitej për karate. Në vendin e ri ai nuk mund t‘i ndiqte më mësimet e sportit dhe kjo e mërziti pa masë dhe e futi në plogështi. Ngushëllimin e gjeti tek alkooli. Rasti i Gary-t është përfolur shumë në shtypin britanik gjatë ditëve të fundit. Madlejn e ndjen se me të dhe të birin kanë qenë të padrejtë, se i kanë gjykuar më shumë se sa duhej. "Unë e di se shumë njerëz më fajësojnë mua për humbjen e djalit dhe se ka të tjerë që fajësojnë atë, por duhet ta dini që unë dhashë më të mirën për të, siç do ta jepte çdo nënë tjetër. U ndava nga im shoq, por kemi pasur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira njerëzore". Ajo çka e ka lënduar më shumë këtë grua, është se disa gazeta kanë shkruar se ishte i drejtë vendimi që i biri nuk e meritonte të merrte një mëlçi të re, sepse ishte një alkoolist "karriere". "Unë nuk di ç‘të them, por ajo që do të thosha, është se në fund të fundit jam një nënë dhe ta dini se do të kisha bërë gjithçka për të shpëtuar tim bir nga vdekja". Ajo e di që transplanti do t‘i kishte dhënë të birit 75% shanse për të jetuar, por kjo nuk i intereson më. E vetmja gjë që kjo nënë dëshiron të bëjë tani për hir të miliona nënave dhe fëmijëve të tyre të alkoolizuar, është që të ngrejë zërin ndaj këtij fenomeni që po merr aq shumë jetë njerëzish sa nuk mund të imagjinohet dot. "Nëse këto nëna do të kishin parë vuajtjet e fundit të tim biri në shtratin e vdekjes, nëse do t‘i kishin dëgjuar rënkimet e tij, lutjet për pak më tepër jetë, për një shans tjetër, do të rendnin me vrap te fëmijët e tyre të pirë, kudo që të ishin dhe do të bënin gjithçka për t‘i shkëputur nga kthetrat e vdekjes me emrin alkool. Unë fatkeqësisht nuk ia dola mbanë, por të tjerat mund t‘ia dalin dhe duhet t‘ia dalin". (shqip)
Shtuar më 29/07/2009, ora 16:49
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori