Katër ditë u mor në pyetje, çfarë deklaroi Thaçi para prokurorit në Hagë?

Pas katër ditësh, ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Pas daljes nga Prokuroria, Thaçi deklaroi se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.

Gazetarët u interesuan nëse presidenti është pyetur për krimet e supozuara në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ dhe për krime e pasluftës, porse Thaçi tha se nuk është pyetur për këto çështje nga prokurori shkruan ekspress.

“Sonte nuk e kam të drejtën të flas lidhur për asnjë informacion për dëshminë time tash e katër ditë, mirëpo lidhur me pyetjen tuaj që ju e parashtruat, deri më sot nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast. E ritheksoj edhe njëherë, pretendime të tilla nuk janë parashtruar në adresën time për këtë periudhë”, tha Thaçi.

Para gazetarëve, presidenti Thaçi theksoi se para prokurorit të Dhomave të Specializuara për katër ditë me radhë, ka pasur mundësinë që të japë sqarimet për të gjitha çështjet që ndërlidhen me aktivitetin e tij gjatë periudhës së luftës.

“Gjatë këtyre katër ditëve jam munduar të sqaroj dhe të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës, këtë periudhë që mbulon mandati i Gjykatës Speciale. Përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, unë konsideroj se kemi pasur seanca produktive”.

“Tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit, që të vlerësojnë me paanshmëri dhe me mendje të hapur dëshminë time. Në rast se ata bëjnë një gjë të tillë në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të ndershme, ata lehtë mund të vijnë në përfundimin se unë se nuk kam bërë asnjë lloj krimi apo shkelje të pretenduara”, shtoi Thaçi.


Shtuar 17.07.2020 07:23