Bardhi, pas mbledhjes në selinë blu: Sali Berisha i vetmi që po përçan PD-në

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur për mediat pas mbarimit të mbledhjes së kryetarit Lulzim Basha me 71 kryetarët e degëve.

Bardhi tha se në mbledhje pjesa më e madhe e krerëve të degëve konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit, dhe shtoi se i vetmi që ka përçarë PD-në në këto dy muaj ka qenë Sali Berisha.

“Dua të ndaj me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili nga kryetaret e degëve. Me përjashtim të 5 kryetarëve te 5 degëve, që raportuan në shqetësim për degët ku drejtonin, pra 5 nga 71. Ndërsa pjesa tjetër konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i 18 dhjetorit. Dua të ftoj çdo anëtar të PD-së të mos shqetësohet nga lajmet e rreme dhe deklaratat dashakeqe që ky Kuvend do të jetë i përjashtimit të demokratëve që mendojnë ndryshe apo atyre që do të marrin pjesë në mitingun e thirrur nga Berisha më 11 dhjetor. 18 dhjetori, Kuvendi Kombëtar nuk është për të përjashtuar demokratët, por për t’i bërë bashkë të gjithë në Kuvendin Kombëtar. Frymën e përçarjes dhe të ndarjes, për fat të keq, e ka përcjellë fatkeqësisht vetëm Zoti Berisha këto dy muaj. Kam një apel për secilin kolegëve të mi që flet për përjashtim të 1000 anëtarëve, që të qetësohet, dhe mos i hyjnë zjarrit të përçarjes. Statutin nuk po e shkelin anëtarët e PD-së, por për fat të keq po e shkel njohësi më i mirë i statutit, Sali Berisha. Ju besoj jeni në dijeni që Berisha ka qenë dakord që firmat të dorëzoheshin te sekretariati. Kush ia ka ndryshuar mendjen duhet t’ja shpjegojë vetë. Kuvendi Kombëtar është mundësia që të gjithë të jemi bashkë për rrëzimin e Edi Ramës. Çdo anëtar i Kuvendit Kombëtar do te kenë mundësi për të folur dhe për tu bërë bashkë në rrëzimin e Ramës”, tha Bardhi./albeu.com

 


Shtuar 17.11.2021 21:33