Në prag lufte, SHBA paralajmërojnë avionët që fluturojnë mbi Gjirin Persik
Administrata Federale e Aviacionit në Shtetet e Bashkuara i ka paralajmëruar kompanitë ajrore amerikane që fluturojnë në hapësirën ajrore të Gjirit Persik që të kenë kujdes të shtuar, sepse aeroplanët e tyre mund të ngatërrohen gjatë identifikimit dhe të rrezikohet siguria e tyre.

Ky paralajmërim erdhi në kohën kur janë rritur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Në dokumentin këshillues thuhet se paralajmërimi është lëshuar për shkak të shtimit të aktiviteteve ushtarake dhe rritjes së tensioneve politike në rajon, të cilat paraqesin rrezik për fluturimet e aviacionit civil.

Tensionet kanë dalë nga kontrolli ditëve të fundit dhe ka shqetësime se mund të shpërthejë konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar luftanije dhe aeroplanë luftarakë në Lindje të Mesme për shkak të kërcënimeve nga Irani. Departamenti i Shtetit ka urdhëruar që i tërë personeli joemergjent i ambasadës amerikane në Irak të largohet nga ky shtet.

Irani i ka mohuar deklaratat e Uashingtonit se ka kërcënime të papritura nga Tehrani dhe i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për eskalim të papranueshëm të tensioneve.

Megjithatë, liderët e të dyjave vendeve kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të zhvillojnë luftë mes vete.
Shtuar më 18/05/2019, ora 11:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori