Në Lion të Francës u mbajt dyjavëshi kulturor shqiptar
Pëlqej
Albeu.com
Me organizimin e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA që vepron në Lyon të Francës, nga 1 prilli deri më 10 prill u mbajt dyjavëshi i kulturës shqiptare. Për të realizuar më mirë këtë veprimtari Shoqëria Shqiptare Iliria kishte mbështetjen edhe të shoqërisë franceze  1001 gjuhë . Gjatë dy javëve të kësaj veprimtarie u hap edhe ekspozita me fotografi për qytetin e Beratit, qytet ky me një histori 2400 vjeçare, për të treguar më mirë lashtësinë dhe traditat historike shqiptare.

Në javën e parë të kësaj veprimtarie u mbajt nisma e gjuhës shqipe, për francezët dhe ata që dëshirojnë ta mësojnë gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe u mbajt edhe një ligjëratë për gjuhën shqipe, historinë dhe karakteristikat kryesore të saj. Më pas një ditë të vetme u fol për letërsinë shqiptare ku para francezëve u bë akoma më e njohur letërsia e shkrimtarëve të mëdhenj shqiptarë. Ndër veprat më të shquara shqiptare që u nxorën në pah para francezëve në këto dy javë ishin Migjeni, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevair Spahiu, Fatos Arapi e të tjerë.

Një ditë e plotë iu kushtua historisë së popullit shqiptar që nga Iliria deri në ditës e sotme. Për këtë foli më gjerësisht profesori Selim Lokaj dhe pastaj u bë një debat më i gjerë për të shpjeguar më mirë fragmentet historike shqiptare që nuk ishin edhe shumë të njohura për opinionin francez.



Nata e fundit e kësaj veprimtarie ishte një darkë tradicionale shqiptare, me muzikë dhe më një ambient thuajse plotësisht shqiptar. Deri pas mesnate në Lion të Francës u këndua e u vallëzua shqip. Në valle e në këngë ishin të gjithë së bashku shqiptarë e francezë. Edhenjëherë nga shumë francezë u shpreh dëshira që ta bëjnë një vizitë Shqipërisë dhe Kosovës për të qenë më afër dhe për të njohur akoma më mirë këtë kulturë e civilizim po aq të lashtë po aq të virtytshëm.

Ishte ky edhe një aktivitet tjetër i Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, me ç'rast shpresojmë se aktivitete të tilla do të ketë kudo që ka shqiptarë. Kjo nderon shqiptarët kudo që janë dhe emrin e Shqipërisë.

Abaz Pllana
Shtuar më 10/04/2005, ora 20:55
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori