Meta kujton Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe jep një mesazh të fortë

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka kujtuar sot në 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, duke e quajtur ate një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat.

Teksa kujton këtë ditë të rëndësishmem Meta nuk nguron as të japë një mesazh të fortë nëpërmjet facebook:

“Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia” thekson Meta.

Mesazhi i plotë i Metës

Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve.

Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen Sovraniteti, Liria dhe Pavarësia. 🇦🇱


Shtuar 10.06.2020 07:02