NATO shqetësohet nga pikëpamjet e Trump
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një artikull për të përditshmen londineze, "Observer", ka deklaruar se organizata po përballet me një prej sfidave më të mëdha të sigursisë.

"Ne ballafaqohemi me sfidat më të mëdha për sigurinë tonë për një gjeneratë, për shkak të shqetësimeve për pikëpamjet e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump për NATO-n", ka deklaruar Stoltenberg.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump, ka sugjeruar se Uashingtoni duhet ta shqyrtojë nëse do të ndihmojë aleatët e NATO-s që janë të kërcënuar, nëse nuk kanë paguar në mënyrë korrekte pjesën e tyre për mbrojtje.

Stoltenberg gjithashtu thekson se NATO, për të parën herë e ka aktivizuar nenin 5 të Aktit Themelues për mbrojtje kolektive të NATO-s, sipas të cilit "sulmi ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithëve", pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.

Ai theksoi se NATO ende luan rol madhor në luftën kundër terrorizmit dhe është përgjigjur ndaj "vetëbesimit të shtuar të Rusisë", dhe se SHBA-të aktualisht marrin pjesë me 70% të shpenzimeve të NATO-s, dhe i bën thirrje vendeve evropiane se duhet ta shtojnë kontributin financiar për këtë aleancë të sigurisë. /albeu.com/


Shtuar më 13/11/2016, ora 11:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori