NATO i zgjat mandatin Sekretarit të Përgjithshëm
Pëlqej
NATO i ka rinovuar mandatin sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg dhe me dy vite të tjera.

Lideri i Aleancës së Atlantikut të Veriut u shpreh i nderuar për këtë vendim dhe nënvizoi se do të vazhdojë puna për t’i mbajtur të sigurt qytetarët e 29 vendeve anëtare.

Vendet anëtare të NATO-s vendosën të martën të rinovojnë mandatin e Jens Stoltenberg deri në vitin 2020, duke e siguruar atë për “besim të plotë” pavarësisht tensioneve me Rusinë e Vladimir Putin.

Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë zyrtare e Aleancës Veriatlantike.

“Aleatët kanë vendosur të zgjasin mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm Jens Stoltenberg me dy vjet, deri më 30 shtator 2020”, thuhet në deklaratë.

“Aleatët kanë besim të plotë në aftësinë e tij për të vazhduar detyrën që bën me vendosmëri për të avancuar përshtatjen e NATO’s ndaj sfidave të sigurisë të shekullit njëzet e një”, lexohet në dokument.

Pas këtij vendimi nuk vonoi edhe reagimi i vetë Stoltenberg i cili zgjodhi rrjetet sociale për tu shprehur se ndjehej “i nderuar dhe mirënjohës”.

Ai vuri në dukje se ai “pret që të vazhdojnë të punojnë së bashku për të forcuar Aleancën dhe për t’i mbajtur qytetarët sa më të sigurt”.


Ish-kryeministri norvegjez, 58 vjeçar, mori në tetor 2014 frenat e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior. Detyra e tij e menjëhershme është të përgatitet për samitin e ardhshëm të NATO’s në korrik të 2018 në Bruksel, në fokus të të cilit pritet të jetë kriza bërthamore me Korenë e Veriut.

Nën udhëheqjen e tij, Aleanca ka nisur një ndryshim gjithëpërfshirës përballë një Rusie që konsiderohet “më agresive” që nga shpërthimi i krizës ukrainase në vitin 2014.

Kështu, 29 vendet anëtare kanë dhënë kohët e fundit dritën jeshile për t’u përdorur taktika të luftës kibernetike në operacionet e Aleancës. Ata gjithashtu vendosën të riparonin “strukturën e komandës”, duke ringjallur një qendër që mbikëqyrte Atlantikun e Veriut gjatë kohës së Luftë së Ftohtë.

Së fundmi, vendet anëtare të NATO-s kanë vendosur ngritjen e një komande prapavije e cila duhet të heqë shumë pengesa logjistike që e bëjnë të pamundur sot lëvizjen e shpejtë të trupave në Evropë.
Shtuar më 12/12/2017, ora 22:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori