NATO i përgjigjet Trumpit, rritje buxheti deri në vitin 2024
Nga Mynihu, në konferencën e 53-të të Sigurisë, përballë 47 ministrave të Jashtëm, përfshirë ministrin e Jashtëm rus Lavrov, atë britanik Boris Johnson, si dhe ministrave të Mbrojtjes nga 30 shtete, Sekretari i ri amerikan i Mbrojtjes në administratën “Trump”, James Mattis paralajmëroi:

“Ne të gjithë shohim komunitetin tonë të kombeve nën rrezikun e fronteve të ndryshme, ndërsa harku i paqëndrueshmërisë ndërtohet në periferi të NATO-s dhe më tej.”

Ndërsa paralajmëroi ekzistencën e harkut të paqëdrueshmërisë në kufijtë periferikë të Evropës, Mattis përsëriti kërkesën nga aleatët e NATO-s, që të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 2% të GDP-së.

Mattis ka thënë se presidenti Trump ofron përkrahje të fuqishme për NATO-n, duke shuar shqetësimet e aleatëve për deklaratat e Trump ndaj aleancës transatlantike gjatë fushatës presidenciale, duke e quajtur atë “të vjetëruar”.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen i kujtoi kolegut të ri amerikan, Mattis, se rritja me 2% të GDP-së të buxhetit për mbrojtjen dhe kontributit për NATO-n nga vendet anëtare është një objektiv për t’u realizuar deri në vitin 2024.

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar këtë herë në Mynih delegacionin më të madh krahasuar me vitet e mëparshme, ndërsa Konferenca e Sigurisë është skena e parë ku ngjiten anëtarët e rinj të ekipit “Trump”, zëvendëspresidenti Mike Pence, Sekretari i Mbrojtjes James Mattis, si dhe ai i Mbrojtes së Atdheut, John Kelly.

Kosovën e përfaqëson në Mynih presidenti Hashim Thaçi, ndërsa Shqipërinë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Shtuar më 17/02/2017, ora 21:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori