Në Ballkan, aty ku po testohen kufijtë e të pamundurës
Askush nuk duhet të ketë iluzione, Rusia e sheh sot Ballkanin, me pothuaj të njëjtin sy, si edhe pjesët e ish perandorisë sovjetike, apo ato të Lindjes së Mesme: një shesh për lojëra gjeopolitike. Një skenë, padyshim më e qetë se sa “fushëbetejat” e tjera ku Rusia është bërë aktor i rëndësishëm, si Ukraina dhe Siria. Por ku, e vetmja gjë që nuk ndryshon, është vendosmëria e Kremlinit. Nuk ka veprime luftarake, një qetësi (edhe pse relative) mbulon gjithçka që po ndodh nën rrogoz. Por gjithësesi, këto nuk mjaftojnë për të fshehur faktin që, Ballkani është shndërruar në një prej arenave të rëndësishme, ku ka nisur tashmë të riluhet Loja e Madhe e shekullit 21.

Nuk janë vetëm lëvizjet e interpretuara si nostalgjike, të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, shkaktaret e ndryshimeve të mëdha. Tendencat për tërheqje të administratës amerikane, e lënë Bashkimin Europian, të vetmen fuqi, mbi shpatullat e të cilës bie barra për të ruajtur rendin e sotëm në Ballkan. Por Moska e sheh BE-në thjeshtë si një tigër prej letre, që nuk e ka fuqinë t’i bëjë ballë “ofensivës” ruse në këtë qoshe të kontinentit. Prandaj angazhimi i rusëve në rajon është një gjë tashmë e sigurtë.

Pak kohë më parë, kreu i Këshillit të Sigurimit të Putinit, shpallte se disa prej rreziqeve kryesore që i kanoseshin sigurisë së Rusisë nga Perëndimi, ishin një zgjerim i mundshëm i NATO-s, me shtete ballkanike si Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja. Nuk duhet të harrohet se bëhet fjalë për një zonë, të cilën Rusia e ka konsideruar si një sferë të saj tradicionale të influencës. Një sferë që në pikëvështrimin e rusëve, “u shkëput” nga duart e tyre në një moment dobësie pas shembjes së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik. Duke ndjekur këtë linjë të argumentit të “viktimizimit”, rusët vazhdojnë t’i mëshojnë idesë së Perëndimi shfrytëzoi pikërisht këtë moment dobësie dhe tërheqjeje, për të “futur hundët” në Ballkan dhe ndërhyrë në ndarjen e ish Jugosllavisë, me veprim që gjithmonë ranë ndesh me interesat e aleatëve të natyrshëm të Rusisë, serbëve.

Ndërkohë që për shtete ballkanike, si Bullgaria, dikur aleate e rëndësishme, por tashmë anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Europian, gjithë sa mund të bëjë Moska është që të mbështesë politikanë me prirje pro ruse, në vende të tjera të Ballkanit, është e qartë se qëllimi i Vladimir Putinit është që më e pakta të bëjë të pamundurën, që të mbeten neutralë, apo në një gjendje pezulli (lexo: rrëmuje).

E vërteta është se në rajonin tonë, Rusia është duke provuar cilët janë kufijtë e të pamundurës, me ndihmën e aleatëve të saj të kahershëm, serbëve, qofshin këta në Serbi, apo edhe në vende të tjera të ish Jugosllavisë.

Shembujt nuk mungojnë. Një prej tyre është treni i lyer me flamurin serb dhe mbishënimin Kosova është Serbi, i cili u nis për Mitrovicë, për të mos mbërritur kurrë atje. Serbët nuk e kanë pranuar kurrë ekzistencën e shtetit të Kosovës, dhe në këtë refuzim kategorik të tyre, kanë patur aleat dhe mbështetëse kryesore, pikërisht Rusinë. E cila, nga ana tjetër, e ka përdorur pikërisht shembullin e çlirimit të Kosovës, për të justifikuar aneksimin e Krimesë tre vjet më parë. Ironi e fortë. Në Mal të Zi, vitin që kaloi u zhvilluan disa ngjarje të denja për disa prej grushteve të shtetit më të pabesueshëm të historisë. Teksa populli, gjysma e të cilit mbështet anëtarësimin në organizmat perëndimore, shkoi të votonte, rusët u akuzuan se kishin nisur vënien në zbatim të një plani për vrasjen e zyrtarëve më të lartë, si pjesë e një grushti shteti. Ndoshta ka qenë një lojë politike, por askush nuk mund të thotë se Rusia nuk po bën gjithë lëvizjet e saj, për të mbajtur Malin e Zi larg prej NATO-s.

Në Maqedoni, Rusia ishte një mbështetëse e palëkundur e regjimit të stilit putinian dhe dy vjet më parë, i dënoi pa aspak hezitim protestat e atjeshme, duke i konsideruar si të mbështetura nga perëndimi dhe një përpjekje të këtij të fundit për të marrë kontrollin në vend.

E vërteta është se dora e Rusisë është shtrirë në pothuaj çdo shtet të Ballkanit. Diku më haptaz, diku më fshehtaz. Kudo aktive. Dhe përshkallëzimi i retorikës pro dhe anti perëndimore, pro dhe anti ruse, po bën që mundësia e veprimeve ushtarake të mos jetë krejt e përjashtueshme. Sepse udhëheqësi i Kremlinit, me veprimet e tij në Ukrainë, me shkëputjen e Krimesë, me mbështetjen që po u bën separatistëve pro rusë, me ndërhyrjen në Siri dhe praninë e fuqishme ushtarake ruse atje, është sot, më i bindur se kurrë, se sferat e influencës nuk janë aspak një koncept i vjetëruar, që e kanë vendin vetëm në librat e pluhurosur të historisë. /bota.al/
Shtuar më 25/03/2017, ora 15:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori