Zhdukja misterioze e Ervis Martinajt, gazetarja tregon çfarë mori policia në Shijak dhe lëvizjet e radhës

Ditët e fundit forca operacionale në bashkëpunim me forcat RENEA kanë ndërmarrë kontrolle në tre shtëpi në Shijak, për të mbledhur prova që mund të çonin në gjurmët e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbi këtë aksion të zhvilluar dhe është shprehur se janë gjetur materiale që mund të ndihmojnë në këtë çështje.

Teksa fliste për News 24, Lala shtoi gjithashtu se policia nuk ka dhënë asnjë informacion për se bëhet fjalë deri në përfundim të hetimit.

Ajo u shpreh se uniformat blu kanë shkuar atje për të gjetur gjurmë biologjike të të shumëkërkuarit.

“Ka pasur kontroll dy ditë më parë në Shijak. Kanë marrë disa materiale por nuk mund të themi nëse këto janë prova që mund t’i shërbejnë zbardhje të ngjarjes. Është shkuar për të gjetur gjurmë të mundshme biologjike për të lidhur me Ervis Martinajn. Policia është e rezervuar për të ndarë informacionet”, tha ajo

Ajo u shpreh se kontrolli është bërë në orët e paradites ndërsa tashmë në linjën e hetimit pritet të jetë marrja në pyetje e personave në fjalë dhe kundërshtarëve të tjerë të Ervis Martinajt. “Prokuroria dhe gjykata bëjnë ping pong. Gjykata fare mirë mund të miratonte urdhrin për kontroll. Kontrolli është bërë në mëngjes.

Fakti që ushtrohet kontroll sipas linjës së hetimit vijohet në marrje në pyetje të personave. Si janë pyetur kundërshtarët e tij si Endrit Dokle. Nga ana tjetër shumë persona që mund të merren në pyetje janë në arrati ashtu si pjesëtarët e Klanit Duka”, deklaroi gazetarja.

Lala citoi edhe një pjesë nga dosja e hetimore e Prokurorisë së Kurbinit për zhdukjen e Martinajt. “Është marrë informacion nga një burim konfidencial se Ervis Martinaj është eliminuar në kundërshtarët e tij pasi është nxjerrë në pritë nga një vajzë. Dyshohet se ai mund të jetë rrëmbyer në qytetin e Durrësit dhe te jetë ekzekutuar”.


Shtuar 10.10.2022 22:28