Çmimet e bulmetit do të rriten deri në 15%! Largimi i fermerëve, një hap më shumë drejt mungesës së qumështit vendas

Kompanitë e përpunimit të qumështit kanë lajmëruar se nga mesi i prillit, të gjitha nënproduktet e qumështit do të njohin rritje nga 10 deri në 15%.

Arsyeja lidhet me shtrenjtimin e plastikës, shtrenjtimin e energjisë e gazit, rritja e kostove nga heqja e skemës së TVSh-së së rimbursueshme, por edhe largimi fermerëve të vegjël.

Përpunuesit pohojnë se gjenden më në vështirësi se në 2019-n, kur TVSH-ja u ul nga 20% në 6% pasi me ndryshimet fiskale të vitit të kaluar, nga 1 janari fermerëve iu ngarkua edhe 10% i TVSH-së te çmimet e inputeve bujqësore të importit, që prej 2018-s nuk taksoheshin.

Përpunuesit thonë se oferta në treg është më e ulët se kërkesa, gjë që sipas tyre i ka bërë ata të përballen çdo ditë me presion nga fermerët për rritjen e çmimeve.

Largimi i fermerëve të vegjël

Halit Bana, një fermer qumështi prej më shumë se 15 vitesh, sot zotëron vetëm 2 krerë lopë nga 15 të tilla vitin e kaluar.

Shtrenjtimi i çmimeve për ushqimin e bagëtive dhe vendosja e taksave e ka bërë të paleverdisshme sipas tij mbajtjen e lopëve.

“Kostoja e bazës ushqimore u rrit gati me 10% dhe e kisha të pamundur që të vazhdoja t’i mbaja kafshët në fermë. Qumështi nisi të tregtohej 25% më shtrenjtë. Deri para pak kohësh që po vazhdoja t’i mbaja më ndihmonte kultivimi i tokës që zotëroja por tashmë kostot janë bërë të papërballueshme”, thotë ai për Gazetasi.al teksa shton se në një situatë të tillë i leverdis më shumë që të punojë jashtë shtetit në emigracion, në fabrika të ndryshme.

Sasia e qumështit të grumbulluar nga fermerët në vitin 2020 ishte 14.8% më pak se në 2019-n, sipas të dhënave të INSTAT.

Mandej ai thekson se mbështetja me subvencione e blegtorisë nëpërmjet skemës kombëtare është shumë e ulët dhe nuk përafrohet me masat mbështetëse që ofron rajoni. Kostot për fermerin po bëhen të papërballueshme, duke i çuar jo vetëm atë por edhe fermerë të tjerë drejt shitjes së krerëve dhe drejt mbylljes së aktivitetit.

Një largim të tillë të fermerëve që nuk po zgjedhin më të punojnë më blegtarinë, e pohon për Gazetasi.al edhe kreu i Shoqatës së Fermerëve, Eduart Sharka i cili shton se nga fakti që fabrikat nuk po munden dot të ekuilibrojnë tregun, mund të përballemi me mungesën e qumështit vendas.

“E gjithë bota po vuan nga mungesa e furnizimit me qumësht. Europa ka një mungesë të tillë kryesisht për shkak të motit dhe një viti të keq që pati bujqësia. Kjo rriti shumë kostot dhe i vuri fermerët në vështirësi.

Për shkak të rritjes së kostove vitin e shkuar dhe mungesës së kërkesës, shumë fermerë u demotivuan dhe u desh t’i thernin lopët apo kafshët e tyre dhe ta ulnin sasinë e qumështit të prodhuar”, thotë më tutje për Gazetasi.al Haliti, fermeri i qumështit.

Rritja e çmimit i bën të konkurrueshme nga produktet e importit

Për vitin 2021, importet e qumështit janë 8% më të larta se periudha para krizës nga Covid-19. Gjatë janarit të këtij viti, importet e qumështit shënuan rënie të lehtë me 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnjë-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021, rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia, me 71% më shumë se në 2020-n.

Për kompanitë përpunuese, ndryshimet fiskale kanë krijuar pasiguri në tregun e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit, duke favorizuar importin e produkteve të rajonit.

Trendi rritës i importeve nisi që në 2019, kur u zbatua skema e ndryshuar e rimbursimit të TVSH-së, nga shkalla 20% zbriti në 6%.

Përpunuesit e qumështit pohojnë se një masë e tillë sjell një ndikim negativ tek ta pasi interesi i fermerëve po bie gjithnjë e më shumë. Ata pohojnë se po furnizohen nga fermerët me qumësht 50 cent për litër, kur aktualisht në Itali, çmimi i qumështit nga fermat është 20-30 lekë për litër./SI/