Moska dhe Tbilisi janë në luftë
Albeu.com
Një avion rus ka sulmuar bazën ushtarake në afërsi të kryeqytetit gjerogjian Tbilisi. Më herët një konvoj ushtarak rus hyri në territorin e Osetisë Jugore.Një autokolonë me 150 automjete, autoblinda dhe tanke ruse, ka hyrë pasdite në territorin e Osetisë Jugore, ndërkohë që në rajonin separatist të Gjeorgjisë po zhvillohen luftime të rënda. Një avion rus ka sulmuar bazën ushtarake në afërsi të kryeqytetit gjerogjian Tbilisi. Presidenti gjerogjian Mihael Sakashvili tha se forcat gjeorgjiane kanë rrëzuar dy aeroplanë luftarakë rusë. Kryeministri i Rusisë Vladimir Putin dhe presidenti Dmitri Medvedev janë kërcënuar se do t'i kundërpërgjigjen ofenzivës së forcave të Gjeorgjisë në rajon, duke thënë se atje po derdhet gjaku i qytetarëve rusë. Putin i dënoi "aksionet agresive" të trupave gjeorgjiane dhe akuzoi Tbilisin për fillimin e armiqësive duke përdorur tankset dhe artilerinë. Medvedev ndërkaq tha se Rusia nuk do të lejojë që vdekjet e qytetarëve rusë të mbeten të pandëshkuara. Ndërkohë, komandanti i paqëruajtësve rusë atje tha se disa trupa ruse janë vrarë nga zjarri artilerik i Gjeorgjisë. Ai tha se kryeqyteti i Osetisë Jugore, Tskhinvali, është "shkatërruar pothuajse plotësisht" nga artileria dhe sulmet ajrore gjeorgjiane. Ministri i jashtëm i Gjeorgjisë Ekaterina Tkeshellashvili i bëri thirrje liderëve botërorë të bëjnë presion ndaj Moskës për të ndërprerë agresionin ushtarak ndaj territorit gjerogjian. Më herët, presidenti i Gjeorgjisë Sakashvili bëri thirrje për "mobilizim të përgjithshëm" të forcave ushtarake, duke thënë se vendi i tij po përballet me "ndërhyrje ushtarake të shkallës së gjerë" nga trupat ruse. Saakashvili tha se aeroplanët ushtarakë rusë kanë bombarduar dy qytete gjeorgjiane. Ai u bëri thirrje trupave ruse të ndërpresin sulmet ajrore dhe tha se trupat e Gjeorgjisë kanë marrë nën kontroll "pjesën më të madhe" të kryeqytetit të rajonit separatist të Osetisë Jugore. Qeveria e Gjeorgjisë më herët ka deklaruar armëpushim në kohëzgjatje prej tre orësh në Osetinë Jugore, në mënyrë që civilët të mund të largohen nga zonat e luftimeve. Shkallëzimi i sotëm i situatës pasoi përpjekjen e dështuar të mbrëmshme të Rusisë që të miratohet një rezolutë në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Shtëpia e Bardhë ka bërë thirrje për përfundimin e gjakderdhjes dhe bisedime të drejtpërdrejta. OSBE-ja tha se është në kontakt me të dyja palët, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu shqetësim dhe u bëri thirrje "të gjitha palëve të ndërpresin menjëherë dhunën. Osetia jugore është ndarë në vitin 1992 nga Gjeorgjia dhe synon bashkimin me Rusinë.
Shtuar më 09/08/2008, ora 01:18
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori