Mosha e madhe, Papa Benedikti XVI jep dorëheqjen
Papa Benedikti XVI njoftoi sot se do të largohet nga Papati më 28 Shkurt. Gjatë një ceremonie për shenjtërimin e martirëve të Otrantos, Benedikti XVI shpjegoi se ndjen peshën e detyrës dhe mori vendimin pas një meditimi të gjatë dhe për të mirën e Kishës.


"Pasi kam ekzaminuar ndërgjegjen time në mënyrë të përsëritur para Zotit, jam bindur se fuqia ime, për shkak edhe të moshës së madhe, është e pamjaftueshme për të ushtruar si duhet detyrën. Në botën e sotme, subjekt i shumë ndryshimeve të shpejta dhe të lëkundur nga pyetje mbi lidhjen e thellë të jetës dhe besimit, janë të nevojshme njësoj mendja e trupi, por fuqia në muajt e fundit më ka braktisur aq sa më duhet të pranoj paaftësinë time për të përmbushur detyrën që më është besuar"- ka thënë Papa në deklaratën e tij.

Joseph Ratzinger i lindur më 16 Prill 1927, u zgjodh papë nga koklava më 19 Prill 2005, pas vdekjes së papa Xhovani Paolo II. Vendimi për dorëheqjen e tij ka ngjallur reagime të shumta si ajo e deklanit të kolegjit të kardinalëve që e vlerësoi vendimin si "rrufe në qiell të pastër". /albeu.com/
Shtuar më 11/02/2013, ora 12:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori