5 njerëz më të zgjuar se Albert Einstein-i

Edhe pse ne e përdorim emrin e tij si një sinonim për fjalën “gjeni”, Albert Ajnshtajn nuk është domosdoshmërisht personi me IQ-në më të lartë.

Testi IQ-së jo vetëm që është gjerësisht i njohur dhe i përdorur, por ai është edhe shumë i diskutueshëm.

Albert Ajnshtajni është fizikanti më i famshëm dhe më me ndikim gjatë shekullit të 20.

Ekspertët janë unanimisht të mendimit se Albert Ajnshtajn kishte një IQ në nivelin 160, që sigurisht konsiderohet një nivel gjeniu.

Por çfarë është një gjeni?

Një nga përkufizimet më të pranuara është “dikush, inteligjenca e të cilit është e jashtëzakonshme”. Dhe si e dimë nëse dikush ka inteligjencë të jashtëzakonshme?

Në rastin e Ajnshtajnit, ekselenca e tij ishte e pamohueshme. Ai themeloi në thelb fizikën moderne me teorinë e tij të relativitetit dhe kontributin e tij në mekanikën kuantike.

Por, sigurisht një metodë për të matur inteligjencën njerëzore apo nivelin e gjenialitetit të dikujt është edhe testi i famshëm IQ apo Testi i Koeficientit të Inteligjencës.

Shumica e kritikëve të këtij testi ngrenë argumentin se ky test fokusohet kryesisht në aftësitë e arsyetimit dhe zgjidhjes së problemeve – ai sipas tyre, nuk mbulon shumë lloje të tjera të inteligjencës njerëzore si motivimi, emocionet dhe pikëpamjet.

Ekziston një numër i madh i testeve të IQ-së, por ato zakonisht përbëhen nga disa pjesë ose nën-teste. Çdo nën-test mat një aspekt të caktuar të inteligjencës siç janë gjuha, arsyetimi, kujtesa dhe shpejtësia e përpunimit të informacionit. Rezultatet më pas kombinohen në një pikë të vetme, e cila përgjithësisht rregullohet edhe sipas moshës.

Shumica e njerëzve kanë një IQ mesatare midis 85 dhe 115.

Njerëzit që shënojnë 115-140 në test konsiderohen të talentuar dhe njerëzit me rezultate mbi 160 konsiderohen gjeni.

Njerëz të tjerë të famshëm që mendohet se kanë (ose kanë pasur) një rezultat IQ 160 janë Elon Musk, Stephen Hawking, Benjamin Franklin dhe Bill Gates.

Thënë kjo, cilat janë disa nga IQ-të më të larta në botë dhe kush i ka shënuar ato?

1 – Marilyn Vos Savant

Marilyn Vos Savant (lindur në vitin 1946) është një autore dhe kolumniste amerikane, e cila shënoi nivelin 228 në dy teste të ndryshme të IQ-së.

Ajo u rendit në Librin e Rekordeve Botërore Guinness nën kategorinë e “IQ-së më e lartë” në vitin 1985.

Por Vos Savant nuk është personi me IQ-në më të lartë në botë.

2 – Michael Kearney

Michael Kearney (lindur në vitin 1984) ka qenë një ‘gjeni i vogël’ apo fëmijë gjeni, i cili vendosi rekorde botërore si personi më i ri që u diplomua dhe nisi të jepte mësim në një universitet. IQ-ja e tij është llogaritur diku midis 200 dhe 225.

Kearney u diplomua nga shkolla e mesme në moshën 6-vjeçare. Në moshën 8-vjeçare, ai kreu një diplomë të asociuar në gjeologji nga Kolegji Junior Santa Rosa. Më pas, ai ndoqi Universitetin e Alabamës së Jugut dhe fitoi një diplomë bachelor në antropologji në moshën 10-vjeçare.

Ai kreu një diplomë master në biokimi kur ishte 14 vjeç, duke u bërë pasuniversitari më i ri në botë deri në vitin 1999, kur fëmija indian Tathagat Avatar Tulsi përfundoi një Master shkencash në moshën 12-vjeçare.

Kearney përfundoi doktoraturën për kimi në moshën 22-vjeçare dhe u kthye në Universitetin Shtetëror të Tennessy-s për të punuar si asistent i kimisë.

3 – William James Sidis

Një nga IQ-të më të larta të regjistruara ndonjëherë i përket William James Sidis (1898-1944), një fëmijë i mrekullueshëm amerikan me aftësi të larta gjuhësore dhe matematikore.

Sidis mund të fliste 8 gjuhë në moshën 8 vjeçare. Kur ishte 9 vjeç, ai studioi matematikë në Universitetin Tufts dhe u pranua në Universitetin e Harvardit kur ishte vetëm 11 vjeç, nga ku u diplomua në moshën 16-vjeçare.

Nuk ka asnjë rezultat zyrtar të testit të IQ për William James Sidis, por ekspertët spekulojnë se ai kishte një IQ nga 210-250.

Nëse ai nuk është aq i famshëm sa Ajnshtajni, kjo është vetëm sepse ai zgjodhi të bënte një jetë të izoluar. Pasi punoi si asistent profesor i matematikës në Universitetin Rajs, ai punoi si llogaritar.

Vepra e tij më e shquar është libri i vitit 1925, The Animate and the Inanimate, në të cilin ai eksploron origjinën e jetës dhe parashikon ekzistencën e vrimave të zeza.

4 – Marie Curie

Marie Curie (1867-1934) ishte një shkencëtare polake, e njohur më së shumti për kërkimin e saj mbi radioaktivitetin, i cili i dha asaj 2 çmime Nobel. Ajo shpiku metoda për të izoluar izotopet radioaktive dhe zbuloi elementet radium dhe polonium, të cilët ishin thelbësorë për zhvillimin e rrezeve X.

Marie Curie ishte gruaja e parë që fitoi një çmim Nobel, dhe personi i parë që fitoi një çmim Nobel në 2 fusha të ndryshme (kimi dhe fizikë). Ajo kurrë nuk iu nënshtrua një testi IQ-je, por ekspertët vlerësojnë se ajo do të kishte shënuar nga 180 deri në 200.

5) Kim Ung-Yong

Kim Ung-Yong (1962) ka qenë gjithashtu një fëmijë gjeni nga Koreja e Jugut.

Ai është renditur në Librin e Rekordeve Guinness për arritjen e një rezultati IQ-je 210, një nga rezultatet më të larta të IQ-së në atë kohë.

Kim Ung-Yong mësoi të fliste rrjedhshëm gjuhën koreane, gjuhën e tij amtare, në moshën 1 vjeçare.

Në moshën 5 vjeç, ai mund të fliste anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe japonisht.

Ai ishte ende 5 vjeç kur demonstroi aftësitë e tij matematikore në një televizion japonez, duke zgjidhur ekuacione diferenciale para një auditori.

Po në moshën 5-vjeçare ai u regjistrua në gjimnaz në Los Anxhelos, por i përfundoi studimet e tij në Korenë e Jugut.

Ai mbaroi kopshtin, shkollën fillore dhe atë të mesme në vetëm 2 vjet.

Më pas, ai vazhdoi studimet për inxhinieri civile në Universitetin Kombëtar të Chungbuk. Sot thuhet se jep mësim dhe punon si inxhinier ndërtimi.

Kush ka IQ-në më të lartë në botë?

Ainan Cawley (1999) është një fëmijë tejet i talentuar nga Singapori që ka aktualisht IQ-në më të lartë të regjistruar ndonjëherë, me rezultatin 263.

Cawley dha leksionin e tij të parë publik në moshën 6 vjeçare, dhe në moshën 7 vjeç e një muaj, ai kishte kaluar testin kombëtar të kimisë GCSE. Në moshën 9-vjeçare, ai ishte në gjendje të recitonte numrin pi në 518 shifra dhjetore dhe mund të mbante mend tabelën periodike.

Në moshën 12-vjeçare, ai kompozoi muzikën për një film të shkurtër, i cili u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius në vitin 2013.

Aktualisht, ai është duke ndjekur karrierën e tij në muzikë.

Sipas prindërve të tij, Cawley mund të ecte që në moshën 6 muajsh dhe të ndërtonte fjali komplekse që në ditëlindjen e tij të parë.

Ata thonë gjithashtu se Cawley e tha fjalën e tij të parë kur ishte vetë 2 javësh./euronewsalbania