Morrën 40 kg rërë nga plazhi, çifti i turistëve rrezikon të dënohet me 6 vite burg
Një çift turistësh pritet të dënohen me burg pasi dyshohet se kanë vjedhur një sasi rëre nga plazhet e pacenuara të Sardenjës.

Çifti francez u zbulua se kishte rreth 40 kg rërë të bardhë të imët në bagazhin e makinës së tyre.

Automjeti u ndalua gjatë një kontrolli rutinë nga policia kufitare ndërsa turistët po përgatiteshin për të hipur në një traget në Porto Torres, në bregdetin verior të ishullit.

Rëra u gjet në 14 shishe të mëdha plastike dhe ishte marrë nga një plazh afër Chias në Sardenjën jugore.

Çifti i tha policisë se ata nuk e kishin idenë se po shkelnin ligjin, por tani ata pritet që të dënohen nga një deri në gjashtë vjet burg.

Ishulli lufton për vite me radhë turistët, që vjedhin rërën, guaskat dhe guralecat e tij, të cilat çmohen si suvenire ose në disa raste përdoren për akuariumet e shtëpisë.

Për të ndaluar vjedhjet, disa vendas kanë marrë rolin e kujdestarëve të vetë-emëruar të plazheve.

Nëse shohin turistë që marrin rërë ose guaska, ata kërkojnë nga ata që të kthejnë materialin. Nëse kjo nuk funksionon, thërrasin policinë.

Njëra prej tyre, Pina Careddu, i tha një gazete italiane të hënën se vizitorët ndonjëherë bëhen të pasjellshëm dhe agresivë kur kundërshtohen.

“Një familje gjermane po mbushte disa shishe me rërë. Unë i regjistrova në telefonin tim që të mos e mohonin. Babai gjerman erdhi drejt meje në një mënyrë kërcënuese. Por në fund ai e vendosi rërën përsëri në plazh, ”tha zonja Careddu, 58 vjeçe, për Corriere della Sera. E quajtur “gjyshja sherife ” ajo është e rreptë edhe me nipërit e mbesat e saj.


Shtuar më 20/08/2019, ora 13:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori