“Pa krim nuk ka zhvillim”, Meta dënon deklaratën e Çuçit: E papranueshme

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta e ka quajtur të papranueshme deklaratën e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ku tha se pa krim nuk ka zhvillim. Në një konferencë për mediat, Meta deklaroi se detyra e Çuçit është që të ndalojë krimin në mënyrë që të ketë zhvillim. Po ashtu, Meta theksoi se zhvillimin nuk e sjell krimi por arsimi.

“Javën e kaluar dëgjuam një deklaratë shokuese nga ministri i Brendshëm ik qeverisë aktuale ku shprehej se pa krim nuk ka zhvillim. Një deklaratë e papranueshme nga përfaqësuesi i qeverisë, i cili ka detyrën kryesore për të ndaluar krimin dhe përparuar zhvillimin.

Në fakt duhet thënë me forcë dhe duhet punuar më me forcë, pa arsim nuk ka zhvillim. Zhvillimin e sjell vetëm një arsim cilësor me kurikula bashkëkohorë, me mësues të mbështetur me paga dinjitoze. Vetëm arsimi si prioritet sjell zhvillim. Unë i uroj mësuesit dhe nxënësit që kthehen në shkolla për një vit sa më produktiv”, tha Meta.