Mogherini: Mbrojtja evropiane nuk kërcënon NATO
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini kundërshtoi sot kërkesën amerikane për përcaktimin me shkrim të njohjes së rolit ekskluziv të NATO-s për mbrojtjen kolektive në marrëveshjen për iniciativën evropiane të mbrojtjes.

“Është shprehur qartë e zeza në të bardhë në traktatet e Bashkimit Evropian, nuk është e nevojshme të spekulojmë më shumë”, deklaroi Mogherini për shtypin në Sofje, ku mori pjesë në një takim të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së dhe Ballkanit perëndimor.

Mogherini mori pjesë dje në mbrëmje në Bruksel në një takim të ministrave të Mbrotjes të NATO-s, gjatë të cilit ajo i shpjegoi iniciativën evropiane sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Jim Matis.

“NATO është përmendur në traktatin e Bashkimit Evropian si organizatë përgjegjëse për mbrojtjen kolektive të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që janë aleate të NATO-s. Është e qartë që puna që bëjmë për mbrojtjen evropiane në BE nuk parashikon të zëvendësojë NATO-n përsa i përket mbrojtjes kolektive”, theksoi ajo.

Jim Mattis njoftoi sot se kishte marrë nga shtetet e Bashkimit Evropian, anëtare të NATO-s, një marrëveshje të qartë për t’u përfshirë në dokumentin e BE-së për mbrojtjen evropiane, që mbrojtja kolektive është një mision vetëm për NATO-n.

Qëndrimi i Mogherinit në emër të shteteve anëtare të BE-së mund të ndikojë në takimin e ardhshëm të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, parashikuar në qershor. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2018, ora 18:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori