Mogherini: Ballkani po shndërrohet në “fushë shahu” të fuqive të mëdha
Bashkimi Evropian paralajmëroi dje (6 mars) se Ballkani Perëndimor rrezikon të kthehet në “fushë shahu” në ndeshjen midis fuqive të mëdha, ndërsa Britania ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në rajon.

Sipas “Euractiv”, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini ka deklaruar se ishte e shqetësuar “thellë” për rajonin ku tensionet e rrezikshme historike janë ende të ndezura.

28 udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor në një samit të enjtes, pas shqetësimit në rritje për paqëndrueshmërinë dhe përfshirjen e dyshuar të Rusisë.

“Unë kam parë në Ballkanin Perëndimor këto ditë më shumë se kurrë më parë një rajon të ekspozuar ndaj niveleve të ndryshme të sfidave dhe tensioneve”, ka thënë Mogherini gjatë takimit me ministrat e Jashtëm të BE-së.

E pyetur rreth rolit të Rusinë në rajon, Mogherini është përgjigjur: Ballkani mund të bëhet lehtë ‘fushë shahu’ e një loje të madhe energjish”.

“Pra, shqetësimi është atje….dhe ky është shqetësim i thellë”, tha ajo.

Mogherini ka shtuar se rinovimi i tensioneve të reja etnike dhe territoriale në rajon të ngjashme me ato të viteve 1990 që sollën gjakderdhjet më të mëdha në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore janë “jashtëzakonisht të rrezikshme”.

Më herët, sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson tha se Rusia duhet të ndalë ndërhyrjet e saj “krejtësisht të papranueshme” në oborrin e shtëpisë së BE-së. /Ora News/
Shtuar më 07/03/2017, ora 19:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori