Merren në pyetje "terroristët" serbë të arrestuar në Mal të Zi
Në Prokurorinë Speciale ka filluar marrja në pyetje e serbëve të arrestuar në territorin e Malit të Zi.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanoviç, ka konfirmuar arrestimin e 20 personave nga Serbia, ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim një tjetër shtetas.

"Është e saktë se pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë, gjatë natës së kaluar, në bashkëpunim me Agjencinë për sigurinë kombëtare dhe në koordinim dhe urdhër të Prokurorisë Speciale shtetërore, duke vepruar në përputhje me shënimet operative dhe të intelegjencës të cilat i ka poseduar policia, kanë arrestuar 20 persona, shtetas të Republikës së Serbisë, ndërkohë që një person tjetër, gjithashtu shtetas i Republikës së Serbisë, është në kërkim", thuhet në deklaratën e policisë.

Sipas deklaratës, dyshohet se shtetasit e arrestuar kanë hyrë në Mal të Zi dhe kanë pasur për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike dhe të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, policinë dhe pjesëtarët e organeve shtetërore, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë shtetërorë. /albeu.com/
Shtuar më 16/10/2016, ora 16:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori