Merkel "fshikullon" refugjatët, përshpejton deportimin e azilkërkuesve
Ekzekutivi i Gjermanisë ka miratuar këtë të mërkurë një plan, përmes të cilit do të bëhet më e lehtë deportimi i azilkërkuesve, kërkesat e të cilëve janë refuzuar.

Gjermania u "përmbyt" nga mbi 890 mijë azilkërkues në vitin 2015, ndërsa prej atëherë ka punuar mbi mënyrën sesi do të përballonte këtë fluks, duke përshpejtuar si dhënien e azilit ndaj atyre që e meritojnë vërtet atë, ashtu edhe kthimin mbrapsht të atyre që nuk ia dalin të sigurojnë azil.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila garon në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, ka bërë thirrje vazhdimisht për një "përpjekje kombëtare" për të siguruar që njerëzit pa të drejtë qëndrimi të largohen nga vendi.

Gjermania ka nisur së fundi deportimin e më shumë afganëve, një lëvizje e kritikuar ashpër nga disa që nuk e konsiderojnë Afganistanin një vend të sigurtë.

Ndërkohë, shteti i Bavarisë ka njoftuar planet për të ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës në ambientet qeveritare të punës, në shkolla, universitete apo edhe teksa drejtojnë një automjet.

"Komunikimi zhvillohet jo vetëm përmes gjuhës, por edhe përmes pamjes, shprehjeve të fytyrës dhe gjestikulacioneve", tha ministri i Brendshëm i këtij shteti, Joachim Herrmann.

Por kritikët thonë se ky ndalim do të ketë pak ndikim praktik në Bavari, pasi aty ka shumë pak myslimanë. Sipas tyre, qeveria rajonale e bën këtë gjë me synimin për zgjedhjet e ardhshme federale, transmeton "Tch". /albeu.com/
Shtuar më 22/02/2017, ora 13:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori