Meksika paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet me taksa SHBA-ve
Meksika ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër vendosjes së një takse të njëanshme mbi importet meksikane për të financuar një mur kufitar, duke thënë se do të kundërpërgjigjet.

Ministri i Jashtëm Luis Videgaray tha se qeveria mund të vendosë tarifa mbi mallra të përzgjedhura për shtete amerikane që varen nga eksportet meksikane.

Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar mw herët se muri do të ndërtohet më herët se ç’është parashikuar.
Qeveria amerikane pritet të fillojë pranimin e projekt-propozimeve muajin e ardhshëm.

Një listë me projektet më të mira do të publikohet në 20 mars, pasi të vlerësohen edhe kostot për çdo projekt, ndërkohë që kontratat pritet të jepen në mes të muajit prill.

Në një intervistë radiofonike, ministri Videgaray tha se “Meksika beson në tregtinë e lirë”, por “do të duhet të kundërpërgjigjet” nëse Shtetet e Bashkuara ndërtojnë një mur kufitar duke vendosur taksa mbi importet meksikane.

“Nuk mund të rrimë duarkryq,” u shpreh ministri, i cili gjithashtu shtoi se Meksika do ta trajtojë këtë çështje si një realitet dhe jo si kërcënim retorik.

Sipas Departamentit Amerikan të Tregtisë, Meksika është deri më tani, destinacioni numër një për eksportet nga Teksasi, me mallra që arrinin vlerën e 92.4 miliardë dollarëve në 2015.

Muri është kthyer në një subjekt tepër delikat politik në Meksikë. Presidenti i vendit, Enrique Peña Nieto anulloi një takim me Donald Trump muajin e kaluar, duke thënë se Meksika nuk do të financojë murin.
Shtuar më 25/02/2017, ora 21:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori