Ndeshja “zjarr” në Milano, formacionet e mundshme Inter-Bayern

Interi pret Bayern Munich në “Giuseppe Meazza”.

Grupi C ishte padyshim grupi i hekurt që doli nga shorti i grupeve të Ligës së Kampioneve, teksa vendosi përballë njëra-tjetrës Bajernin e Mynihut, Barcelonën dhe Interin. Dhe përballja e parë e madhe do të jetë pikërisht dueli i së mërkurës, midis Interit dhe Bajernit, duke nisur nga ora 21:00.

Edhe sezoni i ri, përtej një nisjeje premtuese, ka parë dy humbje në 3 ndeshjet e fundit në kampionat, përfshi edhe atë humbje së fundmi, 2-3 në derbin me Milanin, që padyshim nuk ishte aspak përgatitja e dëshiruar për një sfidë si ajo me Bajernin.

Formacioni nga SportMediaset

E sikur të mos mjaftonte kjo, kampionia e Gjermanisë ka fituar në 3 vizitat e fundit që u ka bërë zikaltërve në “San Siro” dhe, ndonëse një pjesë e rëndësishme e ansamblit bavarez si Robert Levandovski u largua, skuadra ka vijuar të paraqitet po aq bindëse, përtej dy barazimeve në dy ndeshjet e fundit në Bundesligë, dy barazimeve radhazi 1-1, përkatësisht në shtëpi përballë Borusias së Mënhengladbahut, dhe në fushë të huaj përballë Unionit të Berlinit.

Sidoqoftë, edhe pse mban hëpërhë, vendin e 3-të në renditje, Bajerni ka shënuar plot 26 gola në 6 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon, duke shënuar 5 gola ndaj Lajpcigut dhe Viktorias së Këlnit, 6 kundër Eintrahtit të Frankfurtit dhe 7 ndaj Bokumit, të gjitha këto ndeshje në fushë të huaj.

Bavarezët mirëpritën rikthimin pas dëmtimit të Leon Goretckës, ndërsa duhet theksuar se, pas një merkatoje bindëse në verë, kontingjenti i skuadrës gjermane është aq i bollshëm, saqë 26 golat e këtij fillimsezoni janë shënuar nga 12 autorë të ndryshëm, teksa Sadio Mane ka treguar se nuk mbetet prapa Levandovskit, duke shënuar 5 gola.

Edhe mesfushori i talentuar, Xhamal Musiala, ka shënuar 5 dhe trajneri Julian Nagelsman ka një bollëk zgjedhjesh për ndeshjen me Interin.