McCain: Rusia përpiqet ta mbajë Ukrainën jashtë BE-së
Senatori i Shteteve të Bashkuar John McCain në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mbështetjen e tij për protestuesit në favor të Bashkimit Evropian. Ai shprehet gjithashtu se presidenti i Rusisë Vladimir Putin, nuk është i njohur për shpërndarje të parave.

Ishte kjo një referencë për marrëveshjen e shpallur të martën, pas takimit ndërmjet Putinit dhe presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, sipas së cilës Rusia i ka premtuar Ukrainës 15 miliardë dollarë amerikanë në kredi dhe gaz natyror me çmim më të lirë.

“Mendoj se rusët po përpiqen ta mbajnë Ukrainëmn jashtë Bashkimit Evropian. Njëri nga liderët e koalicionit, Yatsenyuk, tha se djathi falas është vetëm në kurthet e minjve, dhe mendoj se ka të drejtë.
Zoti Putin nuk njihet si person që mund të falë gjë, pra ne duhet të shohim. Por mendoj, se kjo është një përpjekje nga ana e Putinit dhe Yanukovichit për ta mbajtur Ukrainën nga lëvizja në Bashkimin Evropian”, tha John McCain.

Gjatë qëndrimit në Ukrainë, senatori McCain është takuar me zyrtarë ukrainas dhe me liderë opozitarë. Ai po ashtu, ka folur në një tubim të opozitës dhe është parë në Sheshin e Pavarësisë, ku për javë të tëra janë mbledhur protestuesit, që kërkojnë afrim të Ukrainës me BE-në. Ai thotë se shumica e popullit në Ukrainë dëshiron të rreshohet me perëndimin.

Zoti McCain, që në vitin 2008 ishte i nominuari republikan për zgjedhjet presidenciale dhe garoi kundër Barack Obamës, e ka dënuar fuqishëm përdorimin e forcës për shpërndarjen e protestuesve. Ai thekson se Uashingtoni duhet ta shqyrtojë mundësinë e sanksioneve, nëse dhuna përdoret kundër protestuesve paqësor.

“Nuk mund të them se çfarë sanksionesh saktësisht do të jenë. Por, siç e dini, ne e kemi kaluar Legjislacionin Magnitsky, si rezultat i vrasjes së panevojshme të avokatit rus, Sergei Magnitsky, dhe të individëve që janë në shënjestër”, tha McCain.

Senatori John McCain, ka shfaqur shpresë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë protestuesve ukrainas, në emër të të drejtave të njeriut, dhe ka shtuar se e ardhmja e Ukrainës do të përcaktohet nga populli i Ukrainës. /albeu.com/
Shtuar më 20/12/2013, ora 16:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori