McCain: Rusia dhe Putin janë kërcënim më i madh se ISIS
Senatori amerikan John McCain e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si "sfidën më të madhe për SHBA", më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist “Shteti Islamik”.

Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Kompanisë Australiane të Transmetimeve se Putini është përpjekur të "shkatërrojë thelbin e demokracisë" me orvatjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

John McCain, senator republikan i shtetit Arizona, tha se nuk ka parë ndonjë provë që Rusia t’ia ketë arritur qëllimit. Por, - tha ai, - ata ende përpiqen të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve.

"Ata sapo u përpoqën të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve franceze. Prandaj, unë e shoh Vladimir Putinin, i cili ka copëtuar shtetin sovran të Ukrainës dhe që po ushtron presion ndaj Baltikut, i shoh rusët si sfida më e madhe që kemi."

Komentet vijnë ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump përballet me hetime, të cilat synojnë të sqarojnë nëse ekipi i fushatës së tij ka pasur lidhje me Rusinë. /albeu.com/

Shtuar më 31/05/2017, ora 17:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori