Zgjedhjet lokale/ Berisha e akuzoi se fitoi tendera nga Rama, Alibeaj prezanton Agron Kapllanin në Mallakastër

Mëse tre javë pas deklaratës se do të dilte me kandidatët e vet në zgjedhjet e 14 majit 2023, Enkelejd Alibeaj nisi prezantimin e kandidatëve për zgjedhjet lokale. Pasi deklaroi se kishin dështuar negociatat, për të mos lëshuar vulën e PD-së, duke refuzuar për daljen me një kandidat të vetëm me partinë që drejtohet nga Sali Berisha, Alibeaj prezantoi sot kandidatin e parë nga radhët e grupit të tij, Agron Kapllanin, që Berisha e akuzon të lidhur me qeverinë sepse ka marrë miliona euro investime në zonën e 5 majit.

“Agron Kapllani nuk premtoi në 2015 vende pune, por tha “I barabartë gjithkush”. Kjo është të jesh i moralshëm, i ndershëm në dhënien e shërbimit.

E dyta, me alternativë. Mund të jesh i ndershëm, mund të jesh i sinqertë, por duhet të kesh alternativë. Çfarë do bësh ti për qytetin, për bashkinë? Në rastin e Agron Kapllanit kjo është e tejkaluar sepse ka pasur nga 2015-2019 për ta parë si e trajton qeverisjen ndaj njerëzve pa bërë asnjëlloj dikriminimi, as për të majtë, as për të djathtë”, tha Alibeaj.

Alibeaj replikoi nga Mallakastra edhe me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, i cili sot, gjatë një komunikimi me ndjekësit në Facebook, i quajti deputetët e tij bukëshkalë.

“Anatemohemi ne për pazar me Edi Ramën? Bukëshkalë? Pengje? Kush e votoi pro çështjen inceneratorëve dhe kush nuk e votoi? Një pjesë e ministrave sot janë në burg sepse atë çështje e ngritëm ne. Ca njerëz nuk erdhën as për ta votuar, madje edhe na shanë. Kush e votoi përfaqësuesin e maxhorancës “mamuthi i korrupsionit” te Banka e Shqipërisë? Fitoi “mamuthi i korrupsionit” me votat e këtyre që i bashkuan me maxhorancën. Çështjen e Portit të Durrësit e ngritëm ne. Njerëzit nuk kanë nevojë për zhurmën e kapjes së foltores çdo të enjte në mëngjes, por kanë nevojë të dinë sa është vjedhur, kush janë oligarkët që darkojnë me Edi Ramën”, u shpreh Alibeaj.

ish-kryetari i PD-së në Mallakastrës Agron Kapllanaj, është akuzuar nga partia e Berishës se ka marrë tendera me miliona euro nga qeveria “Rama”. Sali Berisha deklaroi pak kohë më parë, duke prezantuar dokumentet e prokurimeve publike, se Kapllanaj ka fituar rreth 100 tendera nga qeveria lokale dhe vendore.