Mbi 92 mijë të infektuar me koronavirus, BB jep 12 miliardë dollarë ndihmë urgjente
Banka Botërore ka planifikuar 12 miliardë dollarë ndihmë, për vendet në zhvillim, të cilat po luftojnë me përhapjen e koronavirusit të ri.

Paketa e urgjencës përfshin kredi me kosto të ulët, grante dhe asistencë teknike.

Vendimi i Bankës Botërore vjen derisa liderët në mbarë botën, po zotohen të mbrojnë vendet e tyre nga ndikimi ekonomik i shpërthimit të virusit.

Ndarja e mjeteve financiare ka për qëllim të ndihmojë vendet që të përmirësojnë reagimin e tyre në shëndetin publik, si dhe të punojnë me sektorin privat për të zvogëluar ndikimin ekonomik.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të kufizojmë transmetimin e sëmundjes”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, për BBC.

Organizata tha se do t’i jepte përparësi vendeve më të varfra dhe më të rrezikuara në shpërndarjen e ndihmës për të luftuar efektet e virusit, i cili është përhapur në më shumë se 70 vende të botës.

Cilat janë të dhënat e fundit të përhapjes së virusit

Autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të të infektuarve me virusin e ri, në të gjithë botën, nga të cilët më shumë se 80,000 janë në Kinë.

Më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur, shumica dërrmuese në Kinë.

Infeksionet e reja dhe vdekjet, kanë rënë në javët e fundit në Kinë, për shkak të masave të ashpra që ka ndërmarrë vendi në izolimin e banorëve.

Kina të mërkurën raportoi 38 vdekje të tjera.

Vendi i goditur më keq jashtë Kinës mbetet Koreja e Jugut e cila të mërkurën raportoi 516 infeksione të reja të konfirmuara, duke e çuar numrin në 5,328.

Irani ka liruar përkohësisht më shumë se 54,000 të burgosur, në një përpjekje për të luftuar përhapjen e virusit në burgje.

Vendi ka raportuar 77 vdekje në më pak se dy javë.

Të martën, ministria e Shëndetësisë në Iran tha se numri i rasteve të konfirmuara ishte rritur me më shumë se 50% për ditën e dytë me radhë.

Tani janë konfirmuar 2.336 raste, megjithëse besohet se shifra e vërtetë është shumë më e lartë.

Ndërkohë, Italia ka raportuar një rritje prej 50% të vdekjeve në 24 orët e kaluara, me gjithsej 79 vdekje nga virusi.

Shumica e vdekjeve janë në Lombardi. Nëntë vdekje janë konfirmuar në SHBA. Të gjithë të infektuarit jetuan në shtetin Uashington.

Dhe, në Spanjë, një autopsi ndaj një burri 69-vjeçar që vdiq më 13 shkurt ka zbuluar se ai ishte i infektuar me koronavirusin e ri, raportojnë media lokale. REL
Shtuar më 04/03/2020, ora 08:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori