Margaret Thatcher: Konservatore, radikale e hekurt
Pëlqej
Time
The Time - Para se të bëhej Kryeministre në vitin 1979, por dhe disa vite më vonë, shqetësimi më i madh i Margaret Thatcher-it ishte se dekadat e mpakjes nën qeverinë e gjithëkundpranishme dhe ndërhyrëse mund ta kishin shkatërruar shpirtin sipërmarrës të britanikëve. Besimi pasionant i saj ishte se “iniciativa e lirë dhe konkurrenca janë motorët e prosperitetit”. Por druhej se edhe nëse qeveria e saj konservatore i shmangte ndërhyrjen nga qendra, taksat e larta dhe pengesat e tjera të rritjes ekonomike, reagimi nuk do të ishte i mjaftueshëm. “Po sikur ta vendos topin te këmbët e tyre dhe ata nuk e godasin?”, ndërdyshej ajo.

Goditja ndodhi dhe me zhurmë madje dhe vuri në lëvizje një kthesë të thellë në fatet e kombit që u bë i njohur si Thatcherism. Njihet gjithashtu me të drejtë edhe si Revolucioni Thatcher, sepse udhëheqësja konservatore ishte një ideologe radikale, politikat e së cilës e tronditën shoqërinë britanike. Duke vlerësuar 11.5 vitet e saj në post dhe arritjet e saj të mëdha, historianët pa dyshim do ta rendisin atë përkrah Winston Churchill-it, si dy kryeministrat më të shquar britanikë të shekullit të kaluar.

Shumë prej të mëdhenjve të partisë së saj, përfshirë anëtarët e kabinetit, lidershipi i saj u është dukur si kthim në ditët e shkollës: shpesh ajo i trajtonte si nxënës të këqij, i sundonte dhe merrte vendime për ta. Zëra nga nivelet e larta të partisë e akuzonin atë për ndrydhjen e debatit brenda kabinetit dhe për përpjekjet e instalimit të një sistemi të tipit presidencial. Kryeministrja luftarake e zhvlerësoi gjithë këtë si shovinizëm mashkullor, duke thënë: “kur një grua është e fortë, ajo është e vrazhdë. Nëse një burrë është i fortë, o Zot, ai është njeri i mirë”.

Më shumë është shkruar për këtë stil të udhëhequri se sa për substancën e pamohueshme të saj. Ashtu si miku i saj i mirë Ronald Reagan, themeluesi i një tjetër ism-i, ajo u rrit në një qytet të vogël; e bija e një tregtari të vogël dhe trashëgimtare e vlerave të forta tradicionale. Nuk gjente emër tjetër përveç çnderimit për atë që ajo e konsideronte si thithje të vitalitetit të vendit të saj nga socializmi. Ajo ishte e vendosur për ta shkundur Britaninë dhe ta detyronte të bëhej, edhe njëherë tjetër, një fuqi ekonomike e politike botërore. Kur mbërriti në 10 Downing Street, ajo ndoqi politika që do të inkurajonin pavarësinë dhe do të kompensonin atë që punonte shumë. Vizioni i saj ishte “një Britani e lirë, pa klasa dhe e hapur”.

Sfida përfundimtare ndaj pozicionit të saj lindi pas një problemi në politikën e jashtme: roli i Britanisë në Komunitetin Europian. Por përgjatë viteve përfitoi shumë nga manovrimet e saj të shkathëta dhe të bujshme në çështjet ndërkombëtare. Rizgjedhja në vitin 1983 u sigurua nga dërgimi pa hezitim i trupave britanike për të rimarrë ishujt Falkland nga pushtuesit argjentinas.

Rigjallërimi i marrëdhënies speciale me Amerikën e bëri aleatin më të afërt të Reaganit në vendosjen e raketave bërthamore në Europë, si kundërpeshë ndaj atyre sovjetike. Moska e pagëzoi atë Zonja e Hekurt, një titull që asaj i shijonte. Në rolin e një lojtari ndërmjetës mes superfuqive, ajo e kapi më shpejt se Reagani se Gorbachevi e kishte me gjithë mend kur bëri thirrje për shërimin e Europës.

vitin 1986 Thatcheri parashikoi: “mendoj se historikisht, termi Thatcherism do të merret si kompliment”. Politikat e pasardhësve dhe opozitarëve të saj e vërtetuan këtë.
Shtuar më 21/11/2010, ora 13:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori