Maqedonia në vendin e 45-të sipas lirisë së mediumeve
Albeu.com
Maqedonia ndodhet në vendin e 45-të sipas lirive të mediumeve në listën vjetore që e përgatit organizata "Reporterë pa kufij". Vendin e parë e ndajne Finlanda, Islanda, Irlanda dhe Holanda, përderisa e fundit është Koreja e Veriut.

Në raportin për vitin 2006 të "Reporterëve pa kufij", Maqedonia e ndan vendin 45-48 me Kejp Verde, Mozambikun dhe me tani ish- bashkësinë e Serbisë dhe Malit të Zi, me të ashtuquajturin "indeks i lirive të shprehjes", që paraqet 11,50.

Vendin e parë sipas lirisë së shtypit e ndajn Finlanda, Islanda, Irlanda dhe Holanda, përderisa si vend me më së paku liri të shprehjes, në fund të tabelës ndodhet Koreja e Veriut me "indeks të lirisë" prej 109, para Turkmenistanit, i cili është i 167-ti me indeks prej 98,5 dhe Eritreja me 97,5 në vendin e 166-të.

Danimarka e humb parësinë e kreut për shkak të ngjarjeve rreth karikaturave kontestuese të Profetit Muhamed dhe problemeve që i shkaktoi botimi i tyre nëpër gazeta.

Sukses të dukshëm shënon Bosnja e Hercegovina, e cila ndodhet në vendin e 19-të, para disa vendeve të BEs-ë, siç janë Greqia apo Italia, ta cilat ndodhen në vendin e 32-të, respektivisht të 40-të.

Përndryshe, gjatë llogaritjes së "indeksit të lirisë" shfrytëzohen rekomandimet e 14 organizatave partnere për mbrojtjen e lirive të mediumeve, informatave të 120 bashkëpunëtorëve të "Reporterëve pa kufij" në mbarë botën, si dhe rezultateve nga anketa që e organizon organizata në 168 vende, me të cilën janë përfshirë mendimet e 50 gazetarëve, hulumtuesve, ithtarëve dhe aktivistëve të organizatave për mbrojtjen e lirive të njeriut.

Kryesisht kritikohen Koreja e Veriut, Eirtrea, Turkmenistani, Kuba, Myanmari dhe Kina, si vende këto që nuk e njohin lirinë e shtypit. Por në raportin vjetor të kësaj organizate që publikohet (24.10) në Berlin dhe në Paris kritikohen edhe demokracitë perëndimore, madje vetë vendet anëtare të BE-së.

Në raportin vjetor të organizatës "Reporterë pa kufij" Gjermania ka zbritur në vendin e 23 të listës sa i përket lirisë së shtypit, kjo për shkak të përgjimit të gazetarëve prej shërbimit informativ shtetëror. Ndërsa SHBA renditen diku nga mesi për shkak të tensionimit në rritje të marrëdhënieve të qeverisë së Bushit me median. Ndërsa në fund të listës zenë vend si gjithmonë Koreja e Veriut, Turkmenistani dhe Eritrea.  Në vendet që konsiderohen si "armiqtë më të mëdhenj të lirisë së shtypit" sipas reporterëve pa kufij nuk ka ndryshuar asgjë. "Gazetarët në Korenë e Veriut, në Eritrea, Turkmenistan, Kubë dhe në Birmani e në Kinë rrezikojnë jetën për hulumtime të pavarura dhe ndodhen vazhdimisht nën presion, konfrontohen me dredhitë dhe me burgime afatgjata, ndonjëherë edhe të përjetshme."

Por organizata "Reporterë pa kufij ka vlerësuar edhe zhvillimet pozitive: dy vende për herë të parë renditen në radhën e 20 më të mirëve. Bolivia si e 16-ta ka arritur të ketë renditjen më të mirë ndër vendet e varfëra. "Liria e shtypit në këtë vend respektohet po ashtu si edhe në Kanada dhe në Austri, theksohet në raportin vjetor. Në krye të listës qëndrojnë vendet evropiano-veriore si Finlanda, Irlanda, Islanda dhe Holanda, të cilët së bashku ndajnë vendin e parë. Në këto vende nuk ka njoftime për censurë kërcënime, përpjekje për të kufizuar lirinë e shtypit apo përndjekje.

Në Gjermani në të kundërt është vështirësuar aksesi tek të dhënat, pavarësisht nga ligji ekzistues i lirisë së informacionit. Por pikë minus Gjermanisë i ka kushtuar edhe aktiviteti i shërbimit ifnormativ kombëtar (BND), që për dhjetë vjet me radhë deri në vjeshtën e vitit 2005 i ka vëzhguar ilegalisht gazetarët. Në raportin e organizatës ndërkombëtare të gazetarëve kritikohet edhe rasti i revistës "Cicero": "Ka pasur kontrolle në redaksi dhe nëpër shtëpitë e gazetarëve, por ndërkohë është mbyllur procesi kundër dy gazetarëve të akuzuar për nxjerrje të sekretit."

SHBA në publikimin e parë të listës në vitin 2002 zinin vendin e 17, ndërsa sot ato renditen në vendin e 53. Arsyeja ka të bëjë me faktin, që presidentit Xhorxh Bush "çdo gazetar i duket i dyshimtë, nëse shtron pyetje kritike ndaj luftës kundër terrorizmit." Në të paktën 17 shtete të ShBA refuzohet mbrojtja e burimit. Gazetari i lirë Josh Volf është arrestuar, pasi ka refuzuar të dorëzojë regjistrimet me kamera. Kameramani sudanez Sami al Haxh, që punon për televizionin arab Al Xhazira, mbahet qysh nga qershori i vitit 2002 pa proces gjyqësor në burgun e Guantanamos.

Në vendet arabe është përmirësuar ndjeshëm situata, me përjashtim të Jemenit, konstatohet në raportin vjetor.  Ndër këto vende kryeson Kuvajti me pozicionin 73 në listë brenda grupit i pasuar prej Emirateve të Bashkuara Arabe në vendin e 77 dhe Katarit në vendin e 80. Qysh pas fundit të luftrave të Jugosllavisë edhe Bosnje-Hercegovina ka përmirësim të vazhdueshëm duke mundur të renditet kësisoj në vendin e 19.

Shtuar më 25/10/2006, ora 11:46
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori