Manuel Valls: Jemi nën kërcënim të madh terrorist
Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka lajmëruar se një qelizë xhihadiste në Belgjikë ka planifikuar një tjetër sulm kundër Francës, e që tregojnë për kërcënimin e madh terrorist.

“Janë dëshmi shtesë e kërcënimeve shumë të mëdha për gjithë Evropën e në veçanti për Francën. Nuk do ta zvogëlojmë vigjilencën”, ka thënë Valls në një konferencë për mediat nga kryeqyteti i Algjerisë.

Prokurorët belgë kanë thënë se njëri prej autorëve të dyshuar të sulmeve në Bruksel, ka pranuar se grupi terrorist, fillimisht, ka planifikuar të godasë Francën me sulme të reja.

Mohamed Abrini është shprehur se grupi ka vendosur të sulmojë Brukselin pas arrestimit të Salah Abdeslamit, njërit prej të dyshuarve kryesorë për sulmet e nëntorit të kaluar në Paris.

“Kjo do të thotë se kërcënimi vazhdon dhe duhet të jemi të mobilizuar. Nga hetimet e vazhdueshme, që po bëhen me një koordinim të përsosur, do të mësojmë më shumë”, ka thënë Valls.

Nga sulmet në aeroportin e Brukselit në një stacion të metrosë së këtij qyteti, më 22 mars, u vranë 32 persona.

Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Ata kanë thënë se kanë kryer edhe sulmet e nëntorit të kaluar në Paris, duke vrarë 130 veta./Albeu.com/
Shtuar më 10/04/2016, ora 18:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori