Maja më e lartë në Bullgari mban emrin ‘arab’
Fushata nacionaliste për ta ndryshuar emrin e majës më të lartë në Bullgari që tingëllon si arab me emrin e një shenjti të krishterë përballet me një pengesë tjetër.

Komiteti i Presidencës Bullgare për Emërtimin e Objekteve me Rëndësi Kombëtare dhe Komuniteteve ka refuzuar të mbështesë një thirrje për të riemërtuar majën Musala, pikën më të lartë në vend me emrin e shenjtorit mbrojtës të Bullgarisë.

Presidenca hodhi poshtë kërkesën e paraqitur nga guvernatori rajonal i Sofjes, Ilian Todorov, me arsyetimin se duhen konsultime ekspertësh dhe “debat publik serioz”, zbulon një letër drejtuar administratës rajonale, cituar nga agjencia Focus.

Komisioni gjithashtu theksoi etimologjinë e paqartë të emrit të majës 2,925 metra të lartë, për të cilin disa besojnë se vjen nga fjala arabe “musalla” – një vend për namazin islam.

Një arsye tjetër pse komisioni refuzoi kërkesën është se ndryshimi i emrit të nënkupton ribërjen e hartave, dokumenteve dhe udhërrëfyesve turistikë, gjë që nuk dëshirohet të bëhet momentalisht.

Todorov i ka kërkuar vazhdimisht Presidentit Rumen Radev që të ndryshojë emrin “turqisht-arabisht” të majës me emrin e Shën Ivan Rilskit, njërit nga shenjtorët më të rëndësishëm të Kishës Ortodokse Bullgare dhe shenjtit mbrojtës të Bullgarisë.

Ai mohoi të jetë i frymëzuar nga dëshira për “përfitim politik, egoizëm, krenari apo famë. Zoti dhe besimi ortodoks janë motivi i vetëm dhe kryesor, ” tha ai në një letër të 27 korrikut.

Kjo nuk është hera e parë që Partia Nacionaliste Ataka e Todorovit ka kërkuar nga Presidenca ta ndryshojë emrin e majës Musala.

Në vitin 2016 partia iparaqiti një propozim të ngjashëm ish-presidentit Rosen Plevneliev, i cili gjithashtu nuk e mbështeti atë.

Emri i majës Musala daton nga periudha e sundimit osman në Bullgari që zgjati nga viti 1396 deri në vitin 1878.

Prej vitit 1942 deri në vitin 1962 maja “Musala” mbajti emrin e diktatorit sovjetik Joseph Stalin./BIRN
Shtuar më 02/09/2017, ora 12:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori