Maduro kërcënon se do të largojë nga Venezuela rrjetin CNN
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka kërcënuar me dëbim nga vendi rrjetin informativ amerikan, CNN, për shkak të raportimeve të protestave, që kanë prekur vendin. Maduro tha se do të ndërmerrte masa, nëse CNN nuk do të “korrigjojë mbulimet” e tij.

Tensionet në Venezuelë po rriten, ndërsa lideri i opozitës, Henrique Capriles, ka bërë thirrje për një marshim të ri, paqësor, anti-qeveritar, ditën e shtunë.

Në një konferencë për shtyp, Capriles refuzoi dhunën dhe tha se ishte i gatshëm për dialog, por ai theksoi se qeveria nuk është e gatshme ta dëgjojë opozitën.

“I bëjmë thirrje studentëve dhe atyre që janë tashmë në rrugë, të mos bien në kurthin e dhunës”, u shpreh Capriles, përpara se të tregonte disa video, që sipas tij përmbajnë prova të abuzimit nga forcat e sigurisë.

Ndërsa në televizionin kombëtar, presidenti Maduro akuzoi kundërshtarët e tij se po promovojnë dhunën. Ai u zotua se do të ndërmerrte masa ndaj autorëve të sulmeve në metronë e Karakasit, të cilët janë kapur edhe nga videot sipas tij, duke i dërguar provat në gjykatë. Ai sulmoi edhe mbulimin që po i bëhet protestave nga organizatat e huaja të lajmeve.

“Mjaft më me propagandë lufte. Nuk do të pranoj të tillë propagandë kundër Venezuelës. Nëse ata nuk do të korrigjojnë vetveten, atëherë të dalin jashtë Venezuelës. Po, CNN të dalë jashtë”, deklaroi presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro.

Ndërkohë nga përleshjet e djeshme një nga pesë personat që ka humbur jetën është edhe Miss Venezuela 2013. 22 vjeçarja Genesis Carmona u qëllua me një plumb në kokë. /albeu.com/
Shtuar më 21/02/2014, ora 11:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori