Lukas Papademos merr në dorë "frerët" e Greqisë
Pas disa ditë bisedimesh Greqia ka njohur sot zyrtarisht edhe kryeministrin e ri të vendit. Ai është ekonomisti Lukas Papademos i cili ka zëvendësuar kështu Jorgos Papandreun aq të përfolur këto ditë.

Pritet që qeveria e re të betohet gjatë ditës së premte. Ndërkohë që kryeministri socialist Jorgo Papandreu, që ka dhënë dorëheqjen dhe udhëheqësi i opozitës Antonis Samaras arritën një marrëveshje për krijimin e një qeverie koalicioni deri në zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm.

Papademos, ish nën president i Bankës Qendrore Evropiane, konsiderohet si zyrtar teknokrat dhe jo-partiak, i cili mund të zbatojë programin e masave shtrënguese ekonomike që kreditorët e huaj kërkojnë nga Greqia në shkëmbim të ndihmës financiare. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian po prisnin formimin e qeverisë së re për t’i dhënë Greqisë huanë e re prej 11 miliardë dollarësh, nga paketa e ndihmave e miratuar në vitin 2010. Gjatë mbledhjes që nisi që në orët e paradites dhe zgjati deri ne orët e drekës në Presidencë, mësohet se i zgjedhuri ka pranuar kushtet e vendosura për krijimin e qeverisë së unitetit.

Gjatë mbledhjes së zhvilluar gjatë ditës kanë qenë të pranishëm presidenti Papulias, kryeministri në ikje Jorgos Papandreu, kreu i Nea Dimocratia, Antonis Samaras dhe lideri i Laos, Karatzaferis.

Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë e 40 minuta në Presidence është thirrur edhe Papadimos, i cili është shoqëruar nga shtëpia e tij me eskortë policie. /albeu.com/
Shtuar më 10/11/2011, ora 14:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori