Lufta ndaj terrorizmit, Gjermania përgatit projekt-ligj të ri
Qeveria gjermane po përgatit një projekt-ligj të ri për luftën kundër terrorizmit. Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri gjerman i Drejtësisë, Heiko Maas, i cili tha se projektligji parashikon masa më të rrepta dhe përballje më konkrete me terroristët.

Në një intervistë për gazetën "Bild", ministri Maas tha se projekt-ligji do të dorëzohet gjatë këtij muaji në Parlament.
"Do të ashpërsohen dënimet për islamistët radikalë për vajtjen në zonat e luftës dhe do të konsiderohen si vepër penale çdo mbështetje materiale për organizatat terroriste dhe aktivitete të tilla", është shprehur Maas.

Sipas ministrit gjerman, projekt-ligji është përgatitur në koordinim me anëtarët e Bashkimit Evropian, dhe synon rritjen e sigurisë në vend në nivelin më të lartë të mundshëm.

Duke komentuar mbi protestat anti-islamike të zhvilluara ditën e sotme nga lëvizja "PEGIDA" në Dresden, Maas ka paralajmëruar se kjo lëvizje do të mund të shfrytëzojë sulmet në Paris për interesat e veta. /albeu.com/
Shtuar më 13/01/2015, ora 15:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori