“Më vuri thikën në ije”, gruaja në Sarandë kërcënohet teksa tërheq paratë në bankomat

Një grua ka denoncuar në policinë e Sarandës një person duke deklaruar se e ka kërcënuar me jetë për t’i marrë paratë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40 të ditës së sotme kur qytetarja me inicialet A. M., punonjëse e një kompanie sigurimesh në Sarandë shkoi tek bankomati për të tërhequr një shumë lekësh, sipas kërkesave të saj. Ajo është kërcënuar me thikë teksa ka qenë duke marrë paratë nga një i ri ende i paidentifikuar.

“Në momentin kur po kryeja veprimet një i ri, pa maskë, por me syze u afrua dhe më vuri një thikë në ije, në një mënyrë për të mos u parë nga të tjerët. më kërcënoi që t’i jepja lekët që po merrja nga bankomati, ose të bëja një tjetër tërheqje. I thashë se nuk kam më shumë, kaq kam. Ndërkohë ai vazhdonte duke më thënë ‘o më dorëzo lekët ose të vrava. Do jetën apo lekët’”, deklaroi ajo në polici.

Duke përfituar nga afrimi i njerëzve të tjerë qytetarja është shkëputur edhe pse e tronditur për çfarë kish përjetuar dhe ka shkuar në Komisariatin e Policisë për të bërë denoncimin për rastin. Sipas saj, personi ishte i panjohur për të. Policia po punon për identifikimin e autorit.

Njoftimi i policisë:

 

 

Me datë 08.05.2021, rreth orës 10:00, në lagjen nr.2, Sarandë, 1 person ende i paidentifikuar, pranë bankomatit të një banke, dyshohet se nën kërcenimin e një mjeti të mprehtë, ka tentuar t’i vjedhë një shumë parash shtetases A. N., 34 vjeçe.

Nga ana e Policisë po bëhet krehja e zonës, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.


Shtuar 8.05.2021 12:08