Vrau gjykatësin Falcone, lihet i lirë pas 25 vitesh burg mafiozi i Cosa Nostra

Pas 25 vitesh burg, ish-shefi i mafias Giovanni Brusca, besnik i kreut të liderëve të Cosa Nostra, Toto Riina dhe një nga vrasësit e gjykatësit Giovanni Falcone, heroit të luftës kundër krimit në Itali, është liruar nga burgu.

I arrestuar në vitet 1996 në vendin e tij të fshehtë në provincën Agrigento, ai do të lirohej nga burgu në 2022. Por dënimi u shkurtua për “sjellje të mirë”. Kështu ish-shefi i mafias Giovanni Brusca la qelinë të hënën.

Më 23 maj 1992 ai aktivizoi bombën që vrau gjyqtarin Giovanni Falcone, gruan e tij Francesca Morvillo dhe tre agjentët e shoqërimit Rocco Dicillo, Vito Schifani dhe Antonio Montinaro. Ai gjithashtu kishte një rol kryesor në vrasjen e Giuseppe Di Matteo.

Giovanni Brusca vendosi të rrëfehej dhe të denoncojë shefat e tjerë mafiozë, duke shmangur burgimin e përjetshëm.

Ndërkohë familjarët e viktimave janë shprehur të shqetësuar për lirimin e tij. “Unë jam e indinjuar, jam me të vërtetë e indinjuar. Pas 29 vitesh ne ende nuk e dimë të vërtetën për masakrat dhe Giovanni Brusca, njeriu që shkatërroi familjen time, është i lirë. A e dini se cila është e vërteta? Çfarë do t’i them nipit tim tani? Se njeriu që vrau gjyshin e tij është i lirë? E gjithë Italia duhet të zemërohet dhe jo vetëm unë që humba burrin , por një gjë e tillë nuk ndodh. Këta njerëz vijnë vetëm për të përkujtuar Falconen e 23 majit dhe kujtojnë ‘Giovannin e Paolon’. Por askush nuk indinjohet “, tha Tina Montinaro, e veja e Antonio Montinaro, përgjegjësit për sigurinë e Giovanni Falcone.

Ndërsa Maria Falcone, motra e gjyqtarit Falcone, pas lajmit për lirimin e Brusca-s, tha se ky lajm i shkaktonte dhimbje por sipas saj ligji duhet të respektohet.

“Nga ana njerëzore, është një lajm që më dhemb, por ky është ligji, një ligj që vëllai im gjithashtu dëshironte dhe prandaj duhet të respektohet. Unë vetëm shpresoj që gjyqësori dhe policia të jenë vigjilentë në mënyrë që të shmangin rrezikun e kryerjes së një krimi përsëri, duke pasur parasysh se ne po flasim për një person i cili ka pasur një rrugë shumë të trazuar bashkëpunimi me drejtësinë. Çdo koment tjetër më duket plotësisht i papërshtatshëm », tha Maria Falcone.


Shtuar 1.06.2021 15:18

Tags: ,