Lideri libian priti myftiun Ternava
Albeu.com
Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, në krye të një delegacioni të gjerë kosovar, u prit sot në rezidencën e tij nga lideri i Libisë, Muammer el Gadafi, njofton shërbimi për informim i Bashkësisë Islame të Kosovës.Në atë pritje ishin edhe liderët fetarë të rajonit.
Tërnava me rastin e përshëndetjes së liderit libian përcolli përshëndetjet e ngrohta të popullit të Kosovës, duke i dhënë një pasqyre të historikut kosovar, vuajtjeve tona në të kaluarën, shkatërrimin e trashëgimisë fetare e kulturore në Kosovë nga barbaria serbe, nevojën e bashkëpunimit mes bashkësive fetare të rajonit, në avancimin e vlerave dhe ruajtjen e krenarisë dhe identitetit islam në rajon, si dhe angazhimit të ruajtjes së paqes e tolerancës tradicionale fetare ne ato vende. Myftiu i bëri me dije liderit libian se Xhamia e parë në Kosovë u ndërtua më 1389 pas Betejës së Kosovës dhe tash Kosova ka mbi 700 xhami.

Në fund të fjalës, Myftiu i Kosovës i dhuroi liderit Libian një punim dore me hartë të Kosovës të punuar nga xehet e çmuara të Trepçës dhe një monografi te xhamive dhe objekteve fetare islame të shkatërruara nga agresioni serb gjatë luftës së vitit 98/99.

Përveç anëtarëve të delegacionit nga BIRK, në delegacion ishin edhe Shemsi Ajvazi, bija e tij Nexhla Ajvazi, e cila i tha Gadafit se është e lindur në Tripoli, dhe i dha një dhuratë modeste liderit libian, dhe Muamer Ibrahimi i cili për nder që bart emrin e njëjtë me liderin Libian përshëndeti atë dhe i tha se disa të rinj nga Kosova bartin këtë emër.

Lideri libian u ndie shumë i kënaqur që ka ndodhi ky takim me delegacionin e Kosovës, duke thënë: "Zemrat tona na çaheshin nga dhembja për ju, kur ju kalonit nëpër vuajtjet, masakrimet dhe dëbimet masive nga trojet tuaja nga kriminelët. Tani më ajo kohë ka kaluar dhe ju duhet të këmbëngulni që të jetoni të lirë dhe me dinjitet në vatrat tuaja. Jeni evropianë autoktonë dhe çdo ditë kontribuoni në përparimin e vendit tuaj”.

Në fund të bisedës Gadafi tha se "dera jonë është e hapur për vizita dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm sa herë që ju dëshironi" Takimi u realizua në një nga rezidencat e tij të improvizuara, në oborrin e shtëpisë së tij, me ç'rast delegacionet bëjnë prezantimin e aktiviteteve te tyre. (koha)
Shtuar më 06/06/2010, ora 23:38
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori