E FUNDIT/ Tërmeti shkund Tiranën
Libia, vatër e rrezikshme konflikti para dyerve të Europës
Ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Muller e cilëson katastrofike gjendjen në Libi. Ky vend është kthyer në një trampolinë për mijëra refugjatë. Ai akuzon bashkësinë ndërkombëtare për heqje dorë nga përgjegjësia.

Nga Deutsche Welle

Gjendja në shtetin afrikano-verior është alarmuese, paralajmëron Gerd Muller. Të dërguarit e OKB-së raportojnë për tortura, për gjendje të mjerueshme në kampe, ku izolohen pas gardheve me gjemba qindra vetë që vuajnë nga uria. Muller kërkon një plan Marshall për Afrikën.

Libia u la vetëm

Në një intervistë me gazetën"Neuen Osnabrucker Zeitung" (NOZ), ministri gjerman i Zhvillimit, Gerd Muller kërkon që këto kampe të vihen nën mbikqyrjen e OKB-së. Sipas Muller, 200.000-300.000 vetë ndodhen në kushte të papërfytyrueshme. OKB dhe BE duhet të reagojnë, dhe „të krijojnë struktura në këtë vatër konflikti".
Muller kritikon bashkësinë ndërkombëtare që e ka lënë vendin në kaos, pasi shtetet e NATO-s në vitin 2011 e bombarduan masivisht Libinë për të rrëzuar, diktatorin, Muamar al-Gaddafi. Nuk ka pasur plan për periudhën pas Gaddafit. Shteti u shpërbë, milicët u ngjitën në pushtet.

Ndihmë për të ndihmuar veten

"Duhet të shkojmë tek njerëzit tani", kërkon ministri gjerman i Zhvillimit. Ai ka folur me njerëz që kishin përjetuar tortura, apo me ata që kanë përshkuar rrugën e mundimshme përmes Saharës. Gjermania po jep shembullin e para duke ngritur gjashtë qendra konsultimi për migrantët në Tunizi, Marok e në vende të tjera në Afrikë për të ofruar ndihmë për ta. Politikani kristiansocial e quan „turp që bashkësia ndërkombëtare i ikën përgjegjësisë së saj".

Ai kërkon një menaxhim ndërkombëtar të krizës në kontinentin afrikan dhe një fond të OKB-së me së paku 10 miliardë euro, me një përqasje të shpejtë në rast katastrofe. Një shumë minimale krahasuar me shumën që kërkohet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes në NATO. Politika më e mirë për paqen është politika e zhvillimit, ka kërkuar Muller, që shpreson në mbështetjen amerikane edhe nën Donald Trump. „Kemi nevojë për amerikanët si superfuqi humanitare", ka thënë Muller./Albeu.com/
Shtuar më 13/03/2017, ora 07:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori