Pas rinovimit me Milanin, Pioli kërkon vendin e pestë

Pas rinovimit me Milanin, Stefano Pioli ka një tjetër mision në 2 javët e fundit të kampionatit, të sigurojë vendin e 5-të në Serie A. Misioni nuk do të jetë i lehtë pasi tashmë gjithçka është në dorë të Romës që ka 4 pikë më shumë dhe i mjafton të fitojë një nga dy ndeshjet e mbetura.

Milani luan ndaj Sampdorias në transfertë këtë mesjavë dhe përballë Cagliarit në shtëpi fundjavën e ardhshme, ndërsa Roma ka dy ndeshje në transfertë ndaj Torinos dhe Juves, prandaj edhe Pioli beson ende te vendi i 5-të, por më parë siç e thotë edhe vetë trajneri, Milani i tij duhet të mposhtë skuadrën e Ranierit, siç ka nënvizuar edhe vetë trajneri i kuqezinjëve.

“Duhet të besojmë të bëjmë sa më shumë pikë të jetë e mundur. Por, për fat të keq nuk varet vetëm nga ne. Por, ato që varen nga ne janë rezultatet tona dhe nesër duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Jemi të përqëndruar e më pas do të shohim se si do të shkojnë gjërat”, u shpreh Pioli.


Shtuar 28.07.2020 18:05