Dinamo bind portierin kampion, blutë përgatisin edhe 4 goditje të tjera

Kjo javë do të jetë java e riformatimit për Dinamon. Në mënyrë graduale do të bëhet seleksionimi i atyre lojtarëve, të cilët nuk arritën ta kalonin klasën në fazën përgatitore të Italisë, ku blutë u stërvitën për gati dy javë dhe zhvilluan dy ndeshje miqësore me Modenën dhe Riminin.

Në anën tjetër, klubi do të bëjë përforcimet për t’iu përgjigjur kërkesave të trajnerit Luixhi di Biaxho.

Përforcimet do të prekin të gjitha repartet e skuadrës kryeqytetase. Janë 5 përforcime të llogaritura për të sistemuar formacionin, përveç Baton Zabërgjës, por edhe lojtarëve të tjerë të perspektivës, që janë jashtë kësaj 5-sheje.

Dhe çështja e parë që është zgjidhur është ajo e portës. Burime të gazetës bëjnë me dije se Bekim Rexhepi mund të konsiderohet tashmë pjesë e Dinamos, pasi drejtuesit kanë arritur akordin me të dhe zyrtarizimi është vetëm çështje kohe. Shumë shpejt ish-portieri i Skënderbeut dhe Partizanit do të bashkohet me Dinamon në stërvitje. Stafi teknik i bluve kishte rezerva për dy portierët që ka aktualisht skuadra në dispozicion, Salin dhe Krostën, ndaj dhe kërkoi një tjetër ‘gardian’. Dhe ai është Rexhepi, kampion i Superiores sezonin e fundit me Partizanin. Me ardhjen e tij Sali kalon portier i dytë, ndërsa për italianin Krosta klubi do të gjejë një zgjidhje tjetër.

Gjatë javës me Dinamon pritet që të bashkohen disa lojtarë të rinj. Nga 4 lojtarët e tjerë që bëjnë pjesë në ‘paketën’ e Di Biaxhos, njëri mësohet se është qendërmbrojtës. Në klubin kryeqytetas mbeten të rezervuar për këtë lojtar, por gazeta ka mësuar se ai do të vijë nga Italia dhe ka një eksperiencë të konsiderueshme, pasi ka luajtur më parë në nivele të larta. Një tjetër përforcim, për të cilët janë mësuar detaje, ka të bëjë me mesfushën dhe konkretisht me rolin e organizatorit. Për këtë pozicion, i piketuari i drejtuesve blu është një kroat, edhe ky një element me kualitet, që pritet të jetë lider me fanellën e Dinamos. Për dy Në planet e klubit dinamovit janë edhe elementë të tjerë, por këta të rinj në moshë. Bëhet fjalë për elementë të perspektivës dhe që do të bashkohen që tani me Dinamon. Njëri prej tyre do të vijë nga Kosova dhe një tjetër nga Gana. Këta lojtarë, sikurse edhe të rinjtë që janë aktualisht në përbërje të skuadrës, mund të aktivizohen me Dinamon U-19 kampionatin e ardhshëm. /Panorama


Shtuar 14.08.2023 11:31