Kush ishte “arkitekti” i 5 luftërave në Ballkan?
Albeu.com
Ish-presidenti jugosllav shkaktoi pesë lufëtra në dhjetë vjet në Ballkanin e vogël, por gjithnjë të trazuar. Ai akuzohet për vdekjet e qindra mijë vetëve në Kroaci, Bosnje e Kosovë...Ish-presidenti jugosllav shkaktoi pesë lufëtra në dhjetë vjet në Ballkanin e vogël, por gjithnjë të trazuar. Ai akuzohet për vdekjet e qindra mijë vetëve në Kroaci, Bosnje e Kosovë, të kryera me urdhrat apo me dijeninë e tij, ndërsa përpiqej të realizonte ëndrrën e tij për krijimin e Serbisë së Madhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet ’90. Kjo i kushtoi shumë shtrenjtë Ballkanit, që humbi qindra mijëra vetë dhe përjetoi dhjetëra masakra gjatë luftërave të ideuara nga Millosheviçi.

Jeta
Djalë i një teologu ortodoks nga Mali i Zi, Sllobodan Millosheviç lindi më 20 gusht të vitit 1941 në Pozarevac, në lindje të Serbisë. Me profesion jurist, ai i ngjiti pak nga pak shkallët e nomenklaturës për të arritur në vitin 1986 në postin e kryetarit të Partisë Komuniste të Serbisë. Duke përfituar nga dobësimi i pushtetit federal, ai filloi një kryqëzatë të vërtetë për bashkimin e të gjithë serbëve. Në vitin 1989, duke u paraqitur si mbrojtës i pakicës serbe të Kosovës, ai u përpoq të hiqte autonominë që i kishte dhënë Titoja kësaj krahine të banuar kryesisht nga shqiptarë. Në vitin 1990, Sllobodan Millosheviçi u zgjodh president i Serbisë duke përdorur njëkohësisht manifestimet popullore dhe manovrat politike.

Diktati
Kundërshtimi ndaj demokratizimit të sistemit në Serbi, i solli humbjen e mbështetjes së shumë intelektualëve, të cilët e akuzuan për autoritarizëm dhe për dritëshkurtësi pikëpamjesh. Edhe pse kundërshtimi ndaj tij ishte në rritje, Sllobodan Millosheviçi arriti të shkëmbente postin e presidentit të Serbisë me atë të presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, RFJ, Serbi dhe Mali i Zi. I mbështetur nga ushtria dhe policia, ai formoi në fillim të vitit 1998 një koalicion me ultranacionalistët dhe e ashpërsoi regjimin e tij.

Luftrat
Luftrat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë tronditën rëndë Ballkanin në dhjetë vitet në vazhdim. Pasi Kroacia shpalli pavarësinë, minoriteti serb, që kishte shpallur autonominë në Krajinë, kërkoi ndihmën e Millosheviçit për “t’u mbrojtur”. Në dhjetor të vitit 1991, ushtria jugosllave dhe separatistët serbë sulmuan territorin kroat dhe morën nën kontroll disa pjesë të tij, përfshi këtu Krajinën dhe Sllavoninë perëndimore. Rreth 20 mijë vetë u vranë dhe 400 000 të tjerë mbetën pa strehë, ndërsa situata u vështirësua dotë pas dite deri në përfundim të luftës dhe pranimin e pavarësisë së Kroacisë. Një vit më pas, Bosnja shpalli pavarësinë nëpërmjet një referendumi, gjë që u pasua nga shpërthimi i dhunës në të gjithë republikën. Millosheviç premtoi se do të mbronte serbët nga i ashtuquajturi “genocidi kroat” dhe “fondamentalizmi islamik”. Në tre vitet që pasuan në territorin boshnjak u kryen masakrat dhe mizoritë më të mëdha në Europën e pasluftës së dytë botërore.

Kosova
Politika e represionit të përgjakshëm që ai ndoqi në Kosovë shkaktoi një luftë tjetër në këtë provincën e vogël ballkanike. Në vitin 1998 trupat e tij hynë dhunshëm në Kosovë për të vendosur nën kontroll pushtetin e Millosheviçit, Dhjetëra masakra u kryen, qindra vetë u vranë, ndërsa një lëvizje e re për çlirim, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nisi të përballej me forcat serbe për të ndalur represionin. Në një situatë të tillë, NATO vendosi të ndërmarrë operacione ajrore në Jugosllavi për të ndaluar fushatën e përgjakshme të Millosheviçit. Operacioni që nisi më 24 mars solli për pasojë fundin e përballjes mes forcave serbe dhe atyre shqiptare, ndërsa Millosheviç u detyrua të nënshkruajë marrëveshjen për t’i represionit. Lideri u rrëzua nga pushteti pas një kryengritjeje popullore të zhvilluar më 5 tetor të vitit 2000. Më 1 prill të vitit 2001, u arrestua dhe u dërgua në Gjykatën e Hagës, ku më pas do të përballej me gjyqin për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Vetëvrasjet
Ish-lideri jugosllav, i pari kryetar shteti që u dërgua në gjyq për krime lufte, kishte një histori vetëvrasjesh dhe çrregullimesh nervore në familjen e tij. Të dy prindërit e Millosheviçit janë vetëvrarë në gjendje depresive shumë të rënda. Babai, Svetozar Millosheviç, u vetëvra kur ai ishte në shkollë të mesme, ndërsa nëna e tij, Stanislava vari veten dhjetë vjet më pas. Megjithatë, pavarësisht të gjitha qëndrimeve të tij, Millosheviç nuk kishte aspak ndër mend një vetëvrasje. Avokatët e tij në Gjykatën e Hagës thonë se ai ishte i sigurt se donte të jetonte ende dhe se nuk donte të vetëvritej, edhe pse pas disa muajsh e priste vendimi më i rëndësishëm i kësaj gjykate në lidhje me akuzat që rëndonin mbi të.

Frika e helmimit
Millosheviç i frikësohej tentativave të helmimit në qelinë e tij në Hagë. Këtë e bëri të ditur avokati i tij, Zdenko Tomanoviç, i cili tha se “Millosheviç i kishte treguar ditët e fundit se mund të helmohej në burg”.

GSh
Shtuar më 13/03/2006, ora 10:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori