Kur presidentet e SHBA-se ishin ne telashe
Pëlqej
Albeu.com
Ana e panjohur e jetës së atyre që për shumë vjet kanë qeverisur shtetin më të fuqishëm të botës. Situata të sikletshme, skandale, huqe, apo poshtërime nga më të ndryshmet.

"Nuk më pëlqejnë bronkolit". Ishte viti 1990 dhe Presidenti Xhorxh Bush (plaku) pa dashje i tregoi këtë sekret të vogël mbi veten një gazetari. Por, edhe pse në pamje të parë u duk një fjalë e parëndësishme, të nesërmen e asaj dite kultivuesit e Kalifornisë pushtuan Shtëpinë e Bardhë me qindra arka me brokoli. Mirëpo Bush nuk dëshironte ta ulte kokën përballë këtyre perimeve. "Është hera e fundit që flas për bronkolit. Nuk më pëlqejnë që kur nëna ime mi përgatiste për t‘i ngrënë kur isha i vogël. Unë jam Presidenti i SHBA-së dhe nuk do të ha më kurrë brokoli". E në fakt, shumë më keq i vajti puna Ulisis S. Grant. Kur shkroi se i pëlqenin cigaret, i dhuruan rreth 20 mijë të tilla, që në fakt kontribuuan mjaftueshëm për ta sëmurur me kancer në fyt dhe për ta bërë të varur nga kokaina që përdorte për të qetësuar dhimbjet.


Biseda në gjuhën kineze


Në të vërtetë është i vështirë zanati i presidentit, sidomos atij të SHBA-së. Pavarësisht privilegjeve dhe një rroge prej 450 mijë dollarësh në muaj, jeta e njeriut më të fuqishëm të Tokës nuk është aspak e lehtë. I rrethuar në çdo çast nga një mori asistentësh, truprojash dhe fotografësh, çdo veprim apo deklaratë e tij ka një jehonë kombëtare dhe shpesh planetare. Jo më kot, për të ruajtur privatësinë, Presidenti Herbert Huver fliste me gruan në kinezisht, ndërsa bashkëshortët Koldixhe komunikonin me gjuhën e shenjave, perfekte për një President, për të cilin rezervimi ishte shumë i rëndësishëm. "Nëse nuk flet, nuk do të kërkojnë të përsëritësh asgjë", thoshte. Eh, këtë mund ta dijë mirë edhe Riçard Nikson. Regjistrimet komprometuese të bisedave ku kërkonte të fshihte provat e aktiviteteve të tija të paligjshme e që e detyruan - i vetmi mes presidentëve amerikanë -të jepte dorëheqjen. Edhe Bill Klintonit, për pak sa nuk i kushtoi karrierën lidhja e tij me stazhisten Monika Levinski.


Bushi dhe gafat


Në fakt, heshtja do t‘i kishte shmangur shumë presidentë nga situatat e sikletshme. Për shembull, për Xhorxh Bushin, gazetari Jakob Veisberg "krijoi" fjalën bushizmi: "Fjali të Bushit që karakterizohen nga gabime gramatikore, sintaksore dhe mbi të gjitha logjike". Ja disa prej këtyre perlave: "Importet tona po vijnë gjithmonë e më shumë nga Lindja"; "Mandela ka vdekur sepse Sadam Husein i ka vrarë të gjithë Mandelat"; "Mendoj se lufta është një vend i rrezikshëm". Por, nga ana tjetër Bushi ndihet krenar: "Të gjithë janë të aftë të thonë fjali të sakta e të mençura, por gjëra të tilla të projektojnë në një dimension të ri, ku asnjë qenie njerëzore nuk ka guxuar më parë". Edhe në incidentet diplomatike: "Në 7 shtator të vitit 2007, në Samitin e APEC-ut në Australi, Bushi falënderoi Kryeministrin australian që e kishte ftuar në... OPEC", kujton Ferdinando Fasce, docenti i Historisë së Amerikës Latine në Universitetin e Xhenovës. Të qeshurave të publikut Bush iu përgjigj: "Më falni, më ka ftuar në atë të OPEC-ut vitin tjetër". Sa keq që Australia nuk është anëtare e OPEC-ut.


Bëmë baba të të ngjaj


Por, pas nuk ngelet edhe Bush (plaku). Në një vizitë në Canberra, në vitin 1992, bëri shenjën "V" (victory-fitore) për të përshëndetur australianët. Një gjest kaq i vogël shkaktoi një zhurmë të madhe, meqenëse në Australi ai veprim është njëlloj sikur nxjerr gishtin e mesit. Për sa i përket Xherald Ford, i fiksuar nga fotografët teksa pengohej vazhdimisht, ai hyri në histori si Presidenti që "nuk dinte të bënte 2 gjëra njëkohësisht: të ecte dhe të përtypte çamçakëzin". Presidenti, në fakt, është sa i adhuruar, aq edhe i kritikuar pa mëshirë. Duke nisur nga fushata elektorale në vitin 1800, stafi i Tomas Xhefersonit akuzoi rivalin Xhon Adams se kishte një "karakter të urryer hermafrodit, por pa forcën e njeriut dhe as ndjeshmërinë e gruas". Skuadra e Adams iu përgjigj duke e quajtur rivalin: "Biri i një gruaje me gjak të përzier, që mbeti shtatzënë me një mulat të Virxhinias". Zgjedhjet i fitoi Xhefersoni. Jo shumë kohë më vonë iu desh "të paguante" goditjet e fushatës elektorale. "Në mandatin e tij të parë qarkulluan zëra se kishte një lidhje me një nga skllavet e tij, Selli Hemings, me të cilën lindi disa fëmijë që ai nuk i njohu kurrë. Xheferson mohoi gjithçka, por fëmijët e Sellit ishin 11 skllevër që Presidenti i liroi në jetën e tij. Fjalët për fëmijët e Sellit nga lidhja me Xhefersonin vazhduan deri në vitin 1998, kur revista "Nature" konfirmoi prejardhjen e njëjtë të dy familjeve përmes një test ADN-je", tregojnë historianët.


Presidentët e dashur


Por jo të gjithë presidentët përfundojnë në faqet e para për skandale apo gjeste pikante. Bërd, gruaja e Xhonsonit, me shumë humor replikonte me ata që aludonin për tradhtitë e të shoqit: "Lindon i do njerëzit dhe kjo nuk përjashton gjysmën e popullsisë së botës". Tradhtitë bashkëshortore (e famshme ajo me Marlin Monro) nuk kursyen edhe Xheki Kenedin, që preferonte të mos fliste, duke iu dedikuar shtëpisë dhe kopshtit.


Presidenti gei

Mamie Ajzenhauer, e veshur me të kuqe në çdo mbrëmje gala, u bë alkooliste kur mori vesh për lidhjen e bashkëshortit të saj me shoferin Key Sumersi. Por thashetheme të këtij lloji nuk kursyen edhe "shenjtorët". Psikologu C.A. Trip mbështet se Abraham Linkoln ishte homoseksual. Edhe pse i martuar dhe me fëmijë, Linkoln flinte shpesh me ushtarët, madje ishte parë nën shoqërinë e djemve bukuroshë, mes të cilëve dy sekretarët e tij të rinj, Xhon Nikolai dhe Xhon Hei. Edhe Xhejms Bukanan mendohet se ka pasur të njëjtën prirje seksuale. Ai nuk u martua asnjëherë dhe kishte bashkëjetuar për shumë vjet me politikanin Uilliam Rufus King, i cili u cilësua nga stafi i tij si "shpirti binjak".


Pishina dhe ashensorë


Ndoshta për të ëmbëlsuar paksa gjërat e këqija që mund t‘u ndodhin gjatë rrugës së tyre, shumë presidentë janë përkushtuar për ta bërë më të rehatshme Shtëpinë e Bardhë, që mban brenda vetes 132 lokale, 35 banja dhe 8 ashensorë. Në vitin 1933, Franklin Ruzvelt ndërtoi pishinën e parë që i shërbente për të mbajtur trupin në formë. Në vitin 1969, Riçard Nikson e prishi për të ndërtuar një dhomë shtesë për gazetarët. Pastaj më vonë u ndërtua sërish nga Xherald Ford. Edhe Presidenti Xhorxh Bush ka ndërtuar në kopsht një hapësirë për hedhjen e patkonjve të kuajve; Kalvin Kolidxh ndërtoi një kalë mekanik për t‘u stërvitur, ndërsa Trumani një pistë budingu.


Kafshët


Edhe zonjat e para nuk kanë mbetur pas bashkëshortëve të tyre. Përveçse janë kujdesur për rregullimin e Shtëpisë së Bardhë, u kanë kushtuar vëmendje edhe kopshteve, duke krijuar shumë prej tyre. Në vitit 1969, zonja Bërd Xhonson kërkoi të ndërtohej një kopsht për fëmijët. Sot ajo që nisi dikur kjo zonjë është në pjesën jugore të Shtëpisë së Bardhë dhe mund të mirëpresë deri në 1000 spektatorë për ngjarje tradicionale. Por kopshtet e Shtëpisë së Bardhë do të kujtohen gjatë edhe për kafshët që kanë jetuar me Presidentët, të famshëm po aq sa padronët. Franklin Ruzvelt e mori me vete Fala-n, qenushen e tij të adhuruar, edhe në një anije angleze në oqeanin Atlantik, kur shkoi për të firmosur aleancën me Uinston Çurçillin për Kartën Atlantike në vitin 1941. Ndaj nuk është për t‘u habitur që statuja e Fala-s është vendosur ngjitur me atë të padronit në varrin e tij.


Heidi në limuzinë


Ajzenhaueri e ndëshkoi njëherë Heidin, qenushen e tij të adhuruar, pasi i kishte kryer nevojat personale mbi një tapet të shtrenjtë të Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë, një natë, kur po ndihej vetëm, e mori me vete në limuzinë dhe vendosi të dalë shëtitje. Nga ana tjetër, Uilson kishte një dele me emrin Ike.


Gjeli i falur

Gjeli Xhak ishte një ndër më të adhuruarit e Tedit, një prej djemve të Abraham Linkolnit. Kur me rastin e ditës së Falënderimeve Xhak ishte duke përfunduar në furrë, padroni kërkoi mëshirë për gjelin, që fatmirësisht shpëtoi nga thika. Ky episod qëndron në origjinë të ceremonisë së përvitshme të "faljes së gjelit të detit", ku Presidenti i jep lejen gjelit që të jetojë i lumtur në ndonjë fermë shpendësh. Teodor Ruzvelt adhuronte arushat prej pelushi. Po ashtu të famshme janë edhe dy shqiponjat me koka të bardha të Xhejms Bukanan: që për nder të tij nga viti 1782 janë simbol i emblemës kombëtare. Në të vërtetë, amerikanët çmenden për kafshët presidenciale. Në Anapolis, "Presidencial Pet Museum" ka më shumë se 50 objekte që tregojnë historinë e tyre.


Net në hotel


Kështu, në të mirë e në të keq, Presidenti ngelet një mit. Për të qenë sa më afër popullit, disa organizojnë ceremoni "Open House", domethënë hapjen e dyerve të Shtëpisë së Bardhë për publikun pas ditës së inaugurimit. Në vitin 1829, disa të ftuar në ceremoni u dehën dhe shkatërruan ndërtesën, duke e detyruar Presidentin e sapozgjedhur ta kalonte natën e parë si President në hotel. Edhe Bushi (plaku) kërkoi që ta festonte këtë ngjarje, duke e hapur për publikun rezidencën e tij. Megjithatë u tregua i kujdesshëm, u ofroi miqve vetëm nga një filxhan me çokollatë të ngrohtë. Eh, kështu është absolutisht e detyrueshme që Barak Obama t‘i dijë mirë të gjitha këto.


Balerinë nga halli


Xhorxh Bush dhe bashkëshortja, Laura, teksa kërcejnë valle afrikane në Shtëpinë e Bardhë, në ditën kundër malaries


Presidenti fluturues


Xhorxh Bush (plaku), teksa hidhet me parashutë me një funksionar të ushtrisë. Një President duhet të duket gjithmonë guximtar


E qeshura e pakëndshme


Ronald Regan, që qesh me të madhe gjatë mbrëmjes gala me Mbretëreshën Elizabet


Gjysh çfarë po bën?

Lindon Xhonson, që "leh" teksa mban në duar qenushen e tij të preferuar, Yukin


Dashnorë të rinj?

Linkoln me sekretarët Xhon Nikolai dhe Xhon Hei. Qarkullojnë zëra se Presidenti ishte homoseksual


Një nga rëniet e famshme të Xherald Fordit pas uljes së avionit në Austri


Japoni

Bush (plaku) volli mbi Kryeministrin Kiichi Miyazawa, ndërsa darka transmetohej direk në një televizion japonez

Fjala e gjelit të detit

Herri Truman mban në dorë gjelin e zgjedhur për "faljen" presidenciale. Ai që ka fatin të zgjidhet, nuk do të theret për festën e Falënderimeve


Arinjtë

Moda e arushave prej pelushi është homazh për Ruzveltin, që kur shkoi për gjah nuk e vrau një këlysh të vogël ariu


Të bashkuar deri në përjetësi


Varri i Ruzveltit, me statujën e qenushes së tij të adhuruar, Fala





Koeficienti i inteligjencës


Në 2007-ën, "Lovenstein Institute" në Skranton lajmëroi se kishte llogaritur koeficientin e inteligjencës së presidentëve amerikanë në këto 60 vitet e fundit. Rezultati? Në krye qëndronte Bill Klintoni me 182, ndërsa në fund Xhorxh Bush, me 91. Por, bëhej fjalë për një shaka: instituti nuk ekziston fare



Vija e flokut


Nuk është shakaja e vetme presidenciale. Në vitin 1999, fizikani Xhon Valter dhe motra e tij sociologe prezantuan "Hair Part Theory", që bazohej në mënyrën e krehjes së flokëve. Kush e ka vizën në të majtë (si Linkolni, Ruzvelti, Trumani, Ajzenhaueri) shkëlqen në kujtesë, logjikë dhe gjuhë. Kush e ka në të djathtë, ka prirje artistike dhe muzikore. Po Klintoni që nuk kishte fare vijë? Doli se kishte personalitet të balancuar


Dylbitë

Është e pavdekshme fotoja teksa Bush kërkon të shohë me dylbitë e mbyllura me tapa
(G. Shqip)
Shtuar më 27/11/2008, ora 21:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori