Kryeministri turk jep dorëheqje
Ahmet Davutoglu
Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje. Gjithashtu thuhet se ekzistojnë gjasat se nuk do të kandidojë për udhëheqjen e Partisë AK në pushtet në kongresin që do të mbahet më 22 maj. Kështu kanë raportuar mediat lokale.

Raportet se kongresi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim do të mbahet më 22 maj kanë ardhur pasi Davutoglu ka biseduar me zyrtarë të lartë të partisë.

Spekulimet për dorëheqjen e tij janë përhapur që kur Davutoglu ka takuar presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Davutoglu besohet se nuk është pajtuar me planet e Erdoganit për të lëvizur Turqinë drejt sistemit presidencial të qeverisjes.

Zhvillimet vijnë në kohën e paqëndrueshmërive në Turqi, e cila po përballet me një konflikt të përshkallëzuar me rebelët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, me sulme nga i ashtuquajturi Shtet Islamik dhe me fluks të migrantëve dhe refugjatëve.

Turqia është po ashtu në mes të zbatimit të një marrëveshjeje të rëndësishme me Bashkimin Evropian, të ndërmjetësuar nga Davutoglu, për të kufizuar numrin e refugjatëve që kalojnë kufirin e saj, në këmbim të përafrimit të Ankarasë me BE-në dhe të ndihmës financiare.

E ardhmja e kësaj marrëveshjeje mund të vihet në rrezik nga largimi i tij./Albeu.com/
Shtuar më 05/05/2016, ora 13:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori