Rama i dërgon letër Bashës, lexojeni të plotë
Kryeministri Renzi votëbesohet në Senatin italian
Matteo Renzi, Kryeministri i ri i Italisë, ka përcaktuar një vizion të guximshëm të reformave, disa orë përpara se të fitonte në Senat votëbesimin ndaj qeverisë së tij. Ai është shprehur se dëshiron të shfuqizojë Senatin, si një organ ligjvënës.

Në orët e para të ditës së sotme koalicioni i tij i gjerë fitoi votëbesimin në Senat, me 169 vota pro dhe 139 kundër.

Gjatë ditës atij do t’i duhet të fitojë votëbesimin edhe në Dhomën e Ulët të Parlamentit, ku partia e tij e qendrës së majtë ka një mazhorancë të fortë.

Lideri i Partisë Demokratike, parti e së majtës në Itali, i cili nuk është deputet, pranoi se në moshën 39-vjeçare ai nuk përmbush kushtin minimal për të qenë anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit italian. Kjo, pasi mosha minimale për të qenë senator është 40 vjeç. Ai u tha senatorëve se kërkon të nisë reformat në Dhomën e Lartë, jo më vonë se sa muaji i ardhshëm.

Votimi në Senat dhe mazhoranca që Renzi arriti të siguronte, është parë si një test kyç i fuqisë së tij për të bashkuar fraksionet e përçara në Parlamentin italian. Megjithatë, ai dështoi të siguronte një mazhorancë më të lartë se ish-kryeministri Enrico Letta, rivali i tij në parti.

Qeveria e re është e përbërë nga 16 ministra, në të cilën gjysma janë femra, ka një moshë mesatare nën 48 vjeç, më e reja në historinë moderne të Italisë. /albeu.com/
Shtuar më 25/02/2014, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori